Dragash, 30 maj 2014 – Sot në Dragash janë parë disa pamflete në gjuhën boshnjake, në të cilat janë etiketuar të gjitha partitë politike nga treva e Gorës, përkatësisht krerët e partive, të cilët figurojnë në listat zgjedhore, si kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësuesit politikë të Gorës, pa dallim, janë etiketuar përmes këtyre pamfleteve, si të papërshtatshëm për popullatën e kësaj treve. Madje, ata janë cilësuar si shkatërrues të kësaj treve. Radio SHARRI, ka mësuar se prapa këtyre pamfleteve qëndron një grup joformal i të rinjve nga Gora, të prirë nga, Nexhmidin Sejdillar, i cili edhe më parë ka protestuar në këtë formë, për çka është marrë disa herë në pyetje nga policia. “Përfaqësuesit e partive politike nga treva jonë, kësaj radhe haptazi janë vënë në shërbim të interesave të tyre personale dhe kurrsesi në interes të komunitetit tonë. Këtë e vërteton fakti se nga komuniteti ynë i vogël, me afërsisht 10 mijë banorë që jetojnë në Gorë, garojnë rreth 30 kandidatë për deputet. Krahasuar me trevën e Opojës, e cila ka shumëfish më tepër banorë dhe garojnë më pak se 10 kandidatë, mund të themi se gara në Gorë është për qëllime personale dhe jo në dobi të komunitetit”, konstaton Sejdillar, duke potencuar zëvendësministrin e Arsimit, Usmen Ballxhin, për të cilin thotë se, fare nuk është marrë me arsimin në Gorë, i cili po vepron pa kurrfarë pengese me sistemin e Serbisë. “Ekzistimi i sistemit arsimor të Serbisë në Gorë, edhe pas 8 vjetësh, që Ballxhi mban postin e zëvendësministrit të Arsimit të Kosovës, do të thotë se ai nuk është i interesuar për zgjidhjen e këtij problemi, i cili po e mban të përçarë popullatën e Gorës. Përkundrazi, Ballxhi i ka kontribuar ndasive mes komunitetit nga Gora”, thotë Sejdillar, duke mos lënë pa i përmendur edhe politikanët tjerë. “Të gjithë të apostrofuarit në këto pamflete, e që marrin paga nga buxheti i Kosovës, siç janë Uzair Hamza, djali i të cilit studion në Bullgari, ndërkohë që merr pagë nga buxheti i Kosovës, si mësimdhënës. Pastaj, Adem Hoxha, i cili vazhdon të ushtrojë postin e kryetarit të Këshillit të Përkohshëm të Komunës së Gorës, e cila financohet nga Serbia si e tillë, ndërkohë që në Komunën e Dragashit, ai mban postin e zëvendëskryesuesit të Kuvendit. Madje, në komunën paralele, Hoxha ka abuzuar me paratë që Serbia i ka dërguar për ndihma sociale popullatës së Gorës, nuk meriton votën tonë. Edhe, Avni Bahtiari, i cili garon për deputet në Kuvendin e Kosovës, është i njohur për dallaveret me pasaporta të Bullgarisë, për të cilat merrte para nga goranët, duke iu mundësuar marrjen e shtetësisë bullgare, nuk meriton të votohet. Për t’mos i përmendur të gjithë, ne apelojmë tek komuniteti jonë që mos të votojnë për këta persona. Por, shumë më mirë do të bënin, sikur të votonin për partitë e mëdha të Kosovës, pasi vetëm kështu do të gëzojnë përkrahjen e institucioneve qendrore të Kosovës. Vetëm kështu do t’i gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjithë shtetasit e Kosovës, duke larguar njëherë e mirë etiketimin, se goranët nuk janë qytetarë lojalë të Kosovës”, shprehet për Radio SHARRI-n, Nexhmidin Sejdillar, përfaqësues i një grupi joformal të të rinjve nga Gora.