Goranët konsolidojnë organet udhëheqëse në diasporë!

Goranët konsolidojnë organet udhëheqëse në diasporë!

Dragash, 21 shkurt 2017 – Pas një mbledhje përgatitore që u zhvillua vitin e kaluar në Bruksel, goranët nga diaspora të shtunën kanë mbajtur mbledhjen e radhës në Strasburg, ku kanë themeluar organizatën “Bashkësia e Diasporës së Gorës” (UDG), përmes së cilës synohet të njoftohet publiku i gjerë me atë që e quajnë vetë goranët, si problematikë e këtij regjioni të komunës së Dragashit në Kosovë. “Me regjistrimin e kësaj organizate, ne do të veprojmë legalisht për interesat e komunitetit tonë, pavarësisht skeptikëve rreth organizimit tonë”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate, në krye të së cilës u zgjodhën edhe organet drejtuese, me kryetar Miralem Pelivanin, i cili vepron në Belgjikë, nënkryetar u zgjodh Zevxhan Mushka, i cili vepron në Francë, ndërkaq sekretar ekzekutiv i organizatës u zgjodh Fazlian Boza, i cili vepron në Austri.
Nga thirrjet që dolën nga kjo mbledhje, treva e Gorës trajtohet si atdhe ndërkaq në asnjë pasus të deklaratës nga kjo mbledhje nuk është përmendur shteti i Kosovës, nga i cili varet gjithë organizimi administrativ i Gorës, në të cilin regjion janë evidente shumë probleme, duke filluar nga varfëria ekonomike e deri tek administrata paralele, e mbështetur financiarisht nga Serbia, e që në kuadër të saj vepron arsimi paralel dhe shumë sektorë të tjerë. Për të gjitha këto paralelizma, sipas një deklarate të mëhershme nga kryetari i kësaj komune paralele, Adem Hoxha, Serbia paguan mbi 300 mijë euro në muaj, në emër të pagesës së rrogave dhe pagesave të tjera administrative. “Ne si popull nuk kemi tjetër atdhe pos Gorës. Le ta keni Gorën si mendim të parë, të jetë degë ulliri të cilën do t’ia ofrojmë njëri-tjetrit dhe le të jetë Gora ajo që do të reflektoj paqe për të gjithë, kudo që jetoni, sepse atdhe tjetër nuk kemi”, thuhet në porosinë që doli nga ky takim.

Leave a Reply