Adem Hoxha ka kërkesa por nuk e sheh bllokadën si zgjidhje!

Adem Hoxha ka kërkesa por nuk e sheh bllokadën si zgjidhje!

Prishtinë, 17 mars 2021 – Deputeti i vetëm në Kuvendin e Kosovës nga komuniteti goran, Adem Hoxha, pas takimit me kandidatin për kryeministër, Albin Kurtin, si dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin, ka thënë se ai ka kërkesa minimale në favor të komunitetit që përfaqëson por që nuk e sheh bllokadën si kusht për realizimin e kërkesave të tyre. “Biseda ishte konstruktive. Ne si përfaqësues të komunitetit goran angazhohemi për një shoqëri multietnike në Kosovë. Ne nuk e shohim bllokadën si zgjidhje politike të problemeve. Por, edhe ne i kemi kërkesat tona minimale në favor të baraspeshës politike. Unë shpresoj se do të kemi mirëkuptim me presidenten dhe kryeministrin dhe do të jemi bashkë në këtë rrugë”, ka thënë Hoxha para gazetarëve, duke mos e qartësuar se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.
Duke u nisur nga zotimet që Hoxha i ka bërë para elektoratit të tij në fushatën parazgjedhore, ku ka përmendur edhe krijimin e Komunës së Gorës, sipas ligjeve të Kosovës, redaksia jonë ka kontaktuar me të, për të marrë vesh nëse kjo është ajo kërkesë minimale e tij, në mënyrë që ai të votojë për Kurtin dhe Osmanin. “Kërkesat tona tashmë dihen dhe ne po mundohemi që gjithçka të arrihet me konstruktivitet e assesi me kushtëzime. Fundja, ne jemi komunitet i vogël dhe, edhe po të bëhej diskriminim pozitiv ndaj komunitetit tonë, asgjë nuk humb komuniteti shumicë apo Kosova”, ka thënë Hoxha për radion tonë.