Goranët e Dragashit i ankohen kryetarit serb, Vuçiq!

Goranët e Dragashit i ankohen kryetarit serb, Vuçiq!

Dragash, 21 janar 2018 – Ndonëse kishte ardhur për t’i dëgjuar ankesat e serbëve dhe për t’iu dhënë zemër që të qëndrojnë në Kosovë, kryetari serb, Aleksandar Vuçiq, u befasua dje, kur në Llapnasellë iu sulën goranët e Dragashit me një mori ankesash.
I pari që rrëmbeu mikrofonin, në mesin e mijëra serbëve që ndodheshin në këtë takim me kryetarin serb, ishte mësimdhënësi nga Restelica, Munazer Kuka, duke kërkuar nga Vuçiqi që t’iu rikthehet shkolla e fshatit ose t’iu ndërtohet një tjetër shkollë, ku nuk do të pengoheshin nga mësimdhënësit që punojnë aty me plan-program të Kosovës. “Fundja, kjo shkollë ishte e jona por tani në këtë situatë që dihet, ballafaqohemi me probleme”, i tha kryetarit serb mësimdhënësi që punon në shkollën e Restelicës me plan-program të Serbisë, Munazer Kuka. Menjëherë pas tij, mikrofonin e rrëmbeu një tjetër goran, i cili nuk u prezantua por që edhe ai paraqiti një mori ankesash, përmes të cilave kuptohej qartë se atij i pengonte Kosova si shtet. Madje, ky banor i Gorës së Dragashit i bëri ftesë të parit të Serbisë që ta vizitojë Gorën, ku do t’i dëgjonte hallet e tyre.
Kështu do të vazhdonte, derisa të mos flisnin dhjetëra goranë që kishin shkuar në këtë fshat të banuar me serbë për ta takuar Vuçiqin. Por, ky i fundit, me stil ua bëri me dije se në Kosovë kishte ardhur për t’i dëgjuar serbët dhe jo ata. “Mjaftë i dëgjuam goranët, tani t’i dëgjojmë se çfarë do t’na thoni ju, e që jam i njoftuar se jeni rreth tre mijë këtu”, tha Vuçiq, duke i ftuar serbët që ta marrin fjalën.
Duke iu përgjigjur me stil përgjigjeve të goranëve, Vuçiq iu tha se nuk mund të bëj asgjë pa lejen e Kosovës, por që me para është i gatshëm të ndihmojë. “Do të bisedojë me zotin Thaçi dhe me evropianët për këto çështje”, u përgjigj Vuçiq.