Vetë serbët kritikojnë listën “Srpska” – Ngrirja, taktikë në vete!

mitrovica nga ajriMitrovicë, 30 maj 2014 – Ngrirja e fushatës dhe aktiviteteve parazgjedhore, të cilën po e bëjnë liderët serbë nga komunat veriore të Kosovës, po kritikohet nga pjesa tjetër e spektrit politik të këtij komuniteti. Ky vendim, me pretekstin se materiali zgjedhor përmban simbole të shtetit të Kosovës, po konsiderohet si fushatë në vete.
Të tjerë politikanë nga ky komunitet në Kosovë, i kanë bërë thirrje Beogradit zyrtar që të intervenojë për ndryshimin e këtij qëndrimi, ngaqë bojkotimi i zgjedhjeve, sipas tyre, do ta dobësonte fuqinë politike të serbëve në Kuvendin e Kosovës. Njëri nga ish-liderët e serbëve veriorë gjatë kohës së institucioneve paralele, Marko Jakshiq, ka thënë se liderët e Listës “Srpska”, me këtë vendim po mundohen të përfitojnë poena të vegjël politik. “Ata po mundohen të fitojnë disa privilegje, por në fund do të pranojnë, krejt çka kërkon Prishtina dhe Brukseli”, ka thënë Jakshiq, i cili njihet si kundërshtar i daljes së serbëve në zgjedhjet lokale.
Anëtari serb në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nenad Rikalo, ka thënë se fletëvotimet nuk janë neutrale, në raport me statusin e Kosovës. Simbolet e shtetit të Kosovës nuk janë përdorur në zgjedhjet lokale, pasi kjo çështje u negociua mjaft gjatë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beograd, të zhvilluara në Bruksel. “Prandaj serbët kanë pritur që njësoj të veprohet edhe në zgjedhjet parlamentare”, ka thënë Rikalo.