Mustafa në Dragash: “Ju ofrojmë planin e ekonomistëve dhe jo të historianit”

isa mustafa opojeDragash, 24 maj 2014 – I nominuari i LDK-së për kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa, të premten qëndroi në trevën e Opojës së Dragashit, me qëllim shpalosjen e programit të tij për turizëm, bujqësi dhe blegtori. Mustafa premtoi në këtë tubim se Qendrat turistike, për të cilat tha se janë projektuar nga ish-pushteti i LDK-se në komunën e Dragashit, do të realizohen nga qeveria që ai do ta drejtojë. Gjithashtu, Mustafa premtoi se do të hapë rrugën, Prizren – Tetovë, por paraprakisht do ta shtrojë me asfalt rrugën 14 kilometërshe, Zaplluxhe – Prizren.
Fermerëve nga Opoja, Mustafa iu premtoi se, me qeverisjen e tij, do t’i subvencionojë prodhimet e qumështit për 100%. “Nëse një fermer, aktualisht e shet litrën e qumështit për 30 centë, po aq do të subvencionohet nga qeveria. Gjithashtu, ne do t’i subvencionojmë fermerët për çdo kokë bagëtie, nëse ata kanë minimum 5 krerë, sikurse që do të subvencionohen edhe ata që mbjellin tokën. Fokusi i qeverisjes sime do të jetë rritja e prodhimit të qumështit, pasi që aktualisht Kosova mbulohet vetëm 30% me prodhime vendore të qumështit”, ka premtuar Mustafa, sipas të cilit, plani bazë i qeverisjes së LDK-së mbetet ekonomia. “Ne kemi një plan ekonomik, të përpiluar nga ekonomistët dhe jo nga historianët”, ka thënë Mustafa, duke aluduar tek kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili gjithashtu po e shpalos planin e tij ekonomik, duke premtuar punësimin e 200 mijë personave, brenda mandatit të ardhshëm katërvjeçarë.
I shoqëruar edhe nga dy kandidatët nga komuna e Dragashit, Durak Salihu dhe Hatim Baxhaku, si dhe nga anëtarët e kryesisë qendrore, kreu i LDK-së ka vizituar edhe Zyber Kryeziun nga fshati Kapre, i njohur si komandat Baci.