Turistët nga Zvicra e Gjermania mahniten me Dragashin (Video)

Turistët nga Zvicra e Gjermania mahniten me Dragashin (Video)

Dragash, 24 shkurt 2020 – Një grup turistësh nga Zvicra dhe Gjermania, ditë më parë kanë qëndruar në komunën e Dragashit, me synim eksplorimin e bjeshkëve tona. Madje, sipas asaj që deklaruan për redaksinë tonë, ata ia kanë dalë të prekin edhe gurin e trekëndëshit kufitar, Kosovë – Shqipëri – Maqedoni e Veriut. “Vendosëm të vijmë këtu sepse gjetëm borë të mjaftueshme për adrenalinën tonë. Jemi kënaqur sa më s’ka ku të vejë më shumë”, u shpreh në fillim, Jonas Lengwiler, i cili shoqërohej nga Ronny Bollhalder dhe Felix Kersten. “Qëllimi ynë ishte që t’i eksplorojmë malet e Kosovës, pikërisht në territorin e Dragashit, ku i gjetëm kushtet më të mira të dëborës. Aventurën e filluam në fshatin Kuk, për t’u ngjitur bjeshkës deri në majën me lartësi mbidetare 2500 metra, të ndihmuar edhe nga fuqia e erës. Ditën tjetër e filluam në fshatin Restelicë, ku arritëm pikën ku bashkohen kufinjtë e tre shteteve, Kosovë – Maqedoni e Veriut – Shqipëri. Kjo ishte ndjenja më e mirë e kësaj aventure”, tha për redaksinë tonë, Jonas Lengwiler, duke shtuar se ai me shokët e tij janë fascionuar edhe nga mikëpritja e banorëve lokal, për të cilët thotë se i kanë ndihmuar me informata rreth shtigjeve, rrugëve dhe për vendet më të bukura që duhet vizituar.