Sot bëhen 16 vjet nga sulmet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe!

bombardimet mbi serbiPrishtinë, 24 mars 2015 – Sot bëhen 16 vjet, që kur filloi fushata e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në mbrojtje të popullit të Kosovës. Përfshirja e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, për 78 ditë, mundësoi dëbimin e forcave serbe nga Kosova, kthimin e rreth një milion refugjatëve shqiptarë dhe instalimin e një administrate ndërkombëtare (UNMIK), e cila e administroi vendin tonë deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Megjithatë, misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), si dhe administrata ndwrkomwtare (UNMIK) mbeten ende aktive, pasi pavarësimi nuk e ka zgjidhur plotësisht mosmarrëveshjen me Serbinë, me të cilën Kosova po zhvillon bisedime, kryesisht për të zgjidhur çështjen e veriut të vendit që ende mbetet jashtë kontrollit nga institucionet e shtetit të Kosovës.
Bombardimet kanë përfunduar me miratimin rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që rezultoi me largimin e forcave serbe nga Kosova për të hyrë trupat e NATO-s. Bashkë me to, vërshoi edhe kthimi i refugjatëve në Kosovë, veprim ky i pakontrolluar dhe që habiti botën.
Në kuadër të KFOR në Kosovë, në vitin 1999 kishin hyrë 37 mijë e 200 ushtarë, nga 37 vende të botës. Sot, ky numër është dukshëm më i vogël dhe, pothuajse simbolik, por që ky formacion mbetet në gjendje gatishmërie për të intervenuar në çdo kohë dhe kudo në Kosovë.