Shtyhet seanca gjyqësore kundër Rexhep Kamberit dhe të tjerëve!

Shtyhet seanca gjyqësore kundër Rexhep Kamberit dhe të tjerëve!

Dragash, 02 mars 2021 – Në Gjykatën Themelore të Prizrenit – dega në Dragash, ka përfunduar sot, ende pa filluar mirë, seanca gjyqësore kundër kreut të GIG-ut, Rexhep Kamberi, si dhe personave të tjerë, të cilët akuzohen se kanë penguar policinë në kryerjen e detyrës. Shkak i moszhvillimit të procesit të sotëm ishte mungesa e njërit nga të pandehurit, Sejdi Hasani, i cili përmes avokatit të tij ka dërguar raportin mjekësor ku e ka dëshmuar se është i sëmurë. “Në këtë rast nuk mund ta zhvillojmë procesin. Prandaj, e shtyjmë për muajin prill, me shpresë se të gjithë do të jemi mirë e shëndoshë”, tha gjykatësi i lëndës, Fatmir Krasniqi.
Ndryshe, të pandehurit: Rexhep Kamberi, Hysni Danjalli, Shukri Asllani, Ahmet Beshiri, Sejdi Hasani dhe Fikret Nuhiu, po akuzohen për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit i akuzon se, më datën 28 korrik 2017, rreth orës 18:20, në fshatin Vraniç, komuna e Dragashit, me forcë pengojnë policët në cilësinë e personave zyrtarë, në atë mënyrë që, gjatë një plani operativ të Policisë së Kosovës, Njësia Hetuese “SHR” dhe njësitet tjera mbështetëse të policisë, të cilat kishin shkuar në fshatin Vraniç për kontrollimin e shtëpisë dhe objekteve tjera përcjellëse të Sejkin Rushitit, i dyshuar si pjesëtar i Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës, pasi që policia fillon me kontrollimin e shtëpisë së tij, qytetarët fillojnë të mblidhen afër shtëpisë së të dyshuarit, fillimisht vetëm vëzhgojnë veprimet e policisë por, pasi që  përfundon kontrolli i shtëpisë dhe policia tenton të largohet nga vendi i ngjarjes, të pandehurit, Rexhep Kamberi, Husnia Danjalli, Shukri Asllani, Ahmet Beshiri, Sejdi Hasani dhe Fikret Nuhiu, i prijnë turmës së qytetareve të revoltuar, të cilët e bllokojnë rrugën për rreth 30 minuta. Ata me këto veprime kanë bllokuar rrugën e automjeteve zyrtare dhe njëkohësisht në shenj pakënaqësi fillojnë të fyejnë me fjalë nacionaliste, si “jebem ti drzavu” , “lopovi” , “krimineli” , “ovde je Srbija” , “majmuni”… Me këto veprime, të pandehurit i kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Prandaj, ata dyshohet të kenë kryer veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, e paraparë në nenin 401, paragrafi 5, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.