Ruzhdi Saramati refuzon Certifikatën e UÇK-së!

komandant ruzhdi saramatiPrizren, 09 gusht 2015 – Shtabi i Brigadës 128 Sulmuese, i ka bërë vërejtje Komisionit Qeveritar, lidhur me dukjen e Certifikatës së UÇK-së. Në një deklaratë publike, e cila është nënshkruar nga komandanti i kësaj brigade, Ruzhdi Saramati, kërkohet ndryshimi i certifikatave, ku do të dukeshin edhe simbolet kombëtare dhe ato të organizatave për të cilat lëshohen këto certifikata. “Të nderuar anëtarë të Komisionit qeveritar, ne kërkojmë ndryshimin e certifikatës së veteranëve, për arsye se në të nuk është vënë logoja e SHVL-UÇK-së, nuk figuron flamuri kombëtar, si dhe emblema e UÇK-së, të cilat na kanë prirë gjatë luftës çlirimtare. Kërkojmë që të bëhet ndryshimi i këtij dokumenti që i jepet veteranit. Ne u vramë, u plagosëm, u sakatuam për tu valëvitur ky flamur në trojet tona dhe jo për ta ndryshuar identitetin tonë kombëtar dhe flamurin kuq e zi. Le të mbetet edhe stema e qeverisë, sepse edhe ajo është fituar me flamurin kuq e zi. Kërkojmë që në certifikatat tona të duket flamuri ynë kombëtar dhe emblema e UÇK-së. Në të kundërtën, ne nuk do t’i pranojmë këto certifikata qesharake”, thuhet mes tjerash në reagimin e Komandës së Brigadës 128 Sulmuese, e nënshkruar nga koloneli, Ruzhdi Saramati.