Matrapazë  të të gjitha vendeve – Bashkohuni!

Matrapazë  të të gjitha vendeve – Bashkohuni!

Nga: Urim KRASNIQI


“Matrapazë-veteranët”  dhe krimi i nënkëmbëve  ka kapluar vendin. Ata janë kudo; në kafene, në rrugë, në manifestime, janë kudo. Nuk kam informata të plota se çfarë në fakt po ndodh në krejt Kosovën, edhe pse duket  se situata është e njëjtë gjithandej. Po në këtë rast unë flas për komunën e Sharrit, aty ku njerëzit i njoh kokë më kokë.
Të dhëna dhe fakte për të filluar hetime rreth keqpërdoruesve e profiterëve në emër të veteranëve dhe të dëshmorëve të UÇK-së, mendoj se ka mjaft. Ndërgjegjja morale, fillimisht duhet t’i vret secilin ushtar të vërtet të UÇK-së, i cili posedon dëshmi për ata manipulues që sot përfitojnë në emër të UÇK-së, ata të cilët nuk e parë kurrë luftën, kurse sot gëzojnë privilegje. Fillimisht, nuk turpërohen që nuk u përgjigjen thirrjes se atdheut, por, edhe pa fije turpi, ata dalin tash dhe krekosen, lavdërohen, marrin para, dhe kështu shëmtojnë e përdhosin emrin e luftëtarit, emrin e VETERANIT të vërtet të UÇK-së.
Pastrimi i listave të shoqatave të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së, është pastrim dhe lehtësim për shpirtrat e veteranëve, invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër, siç duhet të ishin edhe këto lista. Historianë e shkrimtarë thurin vargje lavdie për të a një libër historik, poetik apo revista ditore, duke i barazuar ushtarët e vërtetë me ata të cilët dje ishin vëzhgues, besa edhe bashkëpunëtorë të armikut. E sot, këta të fundit dhe soji i tyre janë të barabartë me një veteran të vërtet, i cili sakrifikoi gjithçka nga vetja që Kosova të frymojë lirshëm e populli të jetojë i lirë e me dinjitet, gjëra të cilat i mungonin me shekuj.
Shumë njerëz në komunën tonë kanë sakrifikuar në mënyra të ndryshme, dhe sot nuk kanë kurrfarë vlerësimit për meritat e tyre. Kur kujtoj këtë dhe i shikoj listat e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së, me plotë bindje them se shumë njerëzve në Opojë iu është shkelur e drejta që ta gëzojnë statusin e veteranit, bile edhe më keq, shumë njerëz meritorë janë fyer. Si mund të krahasohet një veteran i vërtet, i cili ka kaluar kohën e luftës duke bërë sakrificë mbinjerëzore në front, me një person që gjatë asaj kohe ka shijuar bregdetin shqiptar apo i ka shikuar punët e veta në mërgim. Paramendoni se si mund të ndihet familja e një dëshmori, biri i të cilëve ka rënë në vijat e frontit, me dikë që ka pasur fatkeqësi të natyrave të ndryshme gjatë asaj kohe.
Unë kërkoj nga njerëz të ndërgjegjshëm, që realisht ishin ushtarë të lirisë, që bashkë të formojnë një shoqatë të përkohshme në nivel vendi, e cila do të merrej me pastrimin e listave dhe demaskimin e matrapazëve, të cilët po tallen me ne, po tallen me shtetin, po tallen me veteranët, po tallen me gjakun e derdhur. Ne që mbrojtëm atdheun dje, edhe sot kam bindjen se mund ta mbrojmë emrin tonë nga përdhosja. Ta mbrojmë emrin e veteranit të luftës, emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga matrapazë-veteranët e pasluftës. Vetëm duhet pak guxim e kurajë, gjë që nuk ju mungoi në kohërat më të vështira. Lavdi për të lavdishmit pastë gjithmonë!

(Autori është nga fshati Brezne, komuna e Dragashit. Një ish-luftëtar i UÇK-së, i cili ka punuar në shumë media lokale dhe qendrore. Aktualisht është i papunë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim, nuk paraqesin domosdoshmërish pikëpamjet e redaksisë sonë)