Rruga e Pllajnikut nuk rehatohet – Banorët kujdestarojnë me lopata!

rruga pllajnik shembjaDragash, 14 prill 2015 – Rruga e re që lidh fshatin Pllajnik me botën, e cila u përurua në gusht të vitit 2013, nuk po ndalon së shemburi, ndonëse Komuna e Dragashit ka intervenuar të hënën në sanimin e përkohshëm të saj.
Kreu i Komunës, Salim Jenuzi, tha sot për Radio Sharrin, se është intervenuar në aksin ku është shembur kjo rrugë, duke krijuar edhe një devijim, në mënyrë që mos të bllokohen banorët e këtij lokaliteti. “Kemi bërë zgjidhje të përkohshme, derisa të intervenojë qeveria qendrore, e cila edhe e ka financuar ndërtimin e kësaj rruge”, ka thënë Jenuzi. Megjithatë, në redaksinë tonë kanë raportuar disa banorë të Pllajnikut, duke thënë se rruga po shembet minutë pas minute dhe se banorët po i rrinë gati me lopata në duar, duke u munduar që ta mbajnë të qarkullueshme. “Po mundohemi me mundësitë tona, por e kemi të vështirë, pasi minutë pas minute gjendja po përkeqësohet dhe vështirë se do t’ia dalim që ta mbajmë të qarkullueshme këtë rrugë. Presim që sa më parë të intervenojnë organet kompetente, sepse do të izolohemi fare”, i tha Radio Sharrit, Ymridin Çengaj, njëri nga banorët e Pllajnikut.
Më 19 gusht të vitit 2013, kjo rrugë u përurua me një festë të bujshme tradicionale që organizuan banorët e këtij lokaliteti të vogël. Në ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë, e cila kishte investuar rreth gjysmë milionë euro për ndërtimin e saj.

• Shiko ceremoninë e përurimit – VIDEO!

• Shiko gjendjen aktuale – VIDEO!

Leave a Reply