Raporti i gabuar – I lënduari nga Plava nuk ka vdekur!

Foto: ILUSTRIM

Foto: ILUSTRIM

Dragash, 14 prill 2016 – Një komunikatë e gabuar e Policisë së Kosovës, e ka tmerruar sot familjen Bojaxhiu nga fshati Plavë, komuna e Dragashit, e cila përmes portaleve ka mësuar lajmin se familjari i tyre (R.B.) paska ndërruar jetë në QKUK, pasi ditë më parë ka pësuar lëndime të rënda, teksa po intervenonte në një shtyllë elektrike, në fshatin Brezne.
Lajmi ka marrë bujë në krahinën e Opojës, si dhe tek opojanët në diasporë, pasi portalet me nxitim e kanë botuar këtë raport të mangët, në të cilin nuk specifikoheshin elementet bazë që e përbëjnë një informacion të qartë dhe të kuptueshëm.
Redaksia jonë ka nisur verifikimin e këtij informacioni, ku ka rezultuar se i apostrofuari nuk ka ndërruar jetë, ndonëse vërtetë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Këtë e kanë vërtetuar bashkëvendësit e viktimës, i cili para pak ditësh, teksa po intervenonte në një shtyllë elektrike, në fshatin Brezne, kishte rënë përtokë, bashkë me shtyllën, duke pësuar lëndime të rënda, për ç’gjë ndodhet në QKUK në Prishtinë, ku mjekët ende po luftojnë për t’ia shpëtuar jetën.