Përse Shqipëria duhet të vazhdojë Eurovizionin?

elton deda opinionNga: Elton DEDA


• Duke u ftilluar pas Eurovizionit, bëra një reflektim të shkurtër në letër dhe të gjatë në mendjen time. Nuk dua fare të merrem me kompozimin, orkestrimin, tekstin dhe së fundmi me performancën e Elhaidës. Të gjithë artistët kanë uljet dhe ngritjet e tyre. Përpos këtyre, ata, me shumë se ne, i dinë të mirat dhe defektet e tyre. Mendoj që kishte plot gjera për tu përmirësuar, por gjithashtu mendoj që kishte plot këngë që nuk meritonin të votoheshin, ashtu siç u votuan. Por, mua më ranë në sy disa probleme të përsëritura nder vite, e që mendoj se mund të rregullohen (të paktën ato që janë në dorën tonë).
E para – Kënga fituese e Festivalit nuk duhet të jetë kusht i domosdoshëm të shkojë në Eurovizion. Mund të bëhen ndryshime në kontratën me EBU-në dhe besoj që, po të arsyetohej korrekt nga ana jonë, nuk do ketë probleme nga ana e tyre. Formulat mund të propozohen në rrugë të ndryshme që mund të diskutohen në forumet e muzikantëve shqiptarë.
E dyta – Sportiviteti i kompeticionit! Kjo është shumë e rëndësishme. Të mbytur nga rrjetet sociale, nga interneti pafre dhe nga njëlloj sëmundje nacionalizmi, në shumicën e rasteve, thjesht dëmton shumë artistin që përformon, ne rastin konkret, vetë këngëtarin. Krijohet presion aq i madh sa që, në vend se të përqendrohesh ne atë se çfarë po këndon, ideja e vetme në kokën tënde është “të nderosh kombin”.
Miq të dashur, kjo nuk është politikë. Është një këngë që duhet kënduar korrekt dhe me frymëzim, të ketë kompozim të kapshëm dhe të thjeshtë, dhe në fund të shoqërohet me të gjitha efektet vizuale e funksionale të këngës.
Sikur të qetësohemi pak si komb përpara kompeticionit, të mos i ngarkojmë artistët më pollet e ndryshme në rrjetet sociale, ku na nxjerrin fitues, të mos bërtasim para kohe për fitore, sikur të ishte lufta e Krujës, mendimi im personal është, se do t’i lëmë më shumë kohë artistit që të përgatitej dhe të mos ngarkohej më shumë seç duhet emocionalisht.
E treta – Më në fund, po na bien veshët rehat nga tingujt e zurnave, daulleve, çiftelive dhe gjithë zërave që bërtasin “më shiko mua, se vij nga Shqipëria dhe kam folklor të pasur që më identifikon”. Ashtu siç e tregon aktiviteti, s’ka më nevojë për gjëra të tilla. Këngë të thjeshta pop-rock, dance etj. e kryejnë funksionin më së miri. Unë personalisht e pashë pozitivisht prurjen e kësaj radhe në Eurovizion. Kënga që është e shijueshme në radio, kur udhëton, kur ha bukë, me një fjalë është shumë e përshtatshme edhe për Eurovizion. Fuqia nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe klas. Dhe, së fundmi, ne duhet të vazhdojmë të cojmë këngë në Eurovizion. Është një aktivitet që mbledh muzikantë dhe prodhon muzikë. Është një aktivitet që të jep mundësinë të njohësh producentë, artistë, të krijosh kontakte dhe, në fund të fundit, të tregosh vlerat e tua.
Nuk shoh asnjë arsye që të bëjmë greva me mllef, se nuk na votojnë. Le të mësohemi me idenë që ne nuk do të na votojnë dhe, ta marrim me sportivitet. Ato gjëra që mund t’i riparojmë, i kemi vet në dorë. T’i bëjmë njëherë mirë këto përmirësime sepse ende s’jemi aty ku duhet e pastaj, nëse nuk na votojnë, shijojmë qytetin dhe lidhjet e reja artistike.