Për Prizrenin, kërkohet lidhje e re qytetare!

hajrulla cekuPrizren, 03 dhjetor 2013 – Drejtori i OJQ-së “Ec Ma Ndryshe” në Prizren, Hajrulla Çeku, vlerëson se Prizreni ka nevojë për një lidhje të re qytetare, që i bashkon të pakënaqurit, rreth një platforme të ndryshimit, për të cilën ka nevojë më shumë se kurrë. “Prizreni është i kapur nga struktura partiake, të cilat nuk krijojnë hapësirë për kuadro të reja politike, por kryesisht promovojnë figura të dëgjueshme dhe besnike ndaj linjës partiake”, ka thënë Çeku, sipas të cilit, gjithçka në Prizren sillet rreth dy partive më të mëdha, të cilat janë shumë të mbyllura dhe të paafta për reformim. “Mbi krejt këtë realitet, ka qëndruar gara e dy kandidatëve të konsumuar në balotazh, pa kurrfarë oferte konkrete për qeverisje dhe, me të kaluar problematike. Kjo ka ndikuar në mungesën e atmosferës për ndryshim në qytet, duke e dekurajuar daljen në votime”, thotë Çeku, për të shtuar se shoqëria nuk po arrin të prodhojë një masë kritike të alternativës ose, së paku të artikulimit të pakënaqësisë. “Shoqëria civile, media, intelektualët dhe i gjithë spektri civil i qytetit, janë mbyllur në oaza të ngushta veprimi dhe me vështirësi po gjejnë forma të organizuara të shprehjes së kritikës, për një qeverisje më të mirë. Zgjimi në Prizren mund të ndodh, vetëm atëherë kur këto grupe fillojnë të dalin nga zonat e tyre të komfortit, duke e parë interesin e përgjithshëm, mbi atë të ngushtë e personal”, konkludon drejtori i OJQ-së “Ec Ma Ndryshe” në Prizren, Hajrulla Çeku.

Leave a Reply