Opojanë e goranë – Njëzëri kërkojnë lirimin e Ramushit!

Opojanë e goranë – Njëzëri kërkojnë lirimin e Ramushit!

Dragash, 31 janar 2017 – Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Dragashit, njëzëri është kërkuar lirimi i Ramush Haradinajt, për të cilin pritet që nesër të zhvillohet një seancë gjyqësore nga autoritetet franceze, ku do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për gjykimin e tij.
Me një deklaratë të përbashkët, të gjithë anëtarët e Kuvendit të Dragashit kërkojnë që të ndërpritet mbajtja peng e ish-komandantit të UÇK-së për Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i cili u ndalua nga autoritetet franceze, sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia. “Arrestimi i zotit Haradianj, në bazë të fletë-arrestit të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat zoti Haradinaj, dy herë, është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një veprim politik e jo gjyqësor. Franca, për ne, është një vend mik që e ka njohur Republikën e Kosovës, prandaj vendimi i autoriteteve gjyqësore të Francës që të ndalojë ish-kryeministrin e Kosovës dhe Kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, është i papranueshëm. Kërkojmë nga shteti francez që në mbështetje me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, pa kushte të lirojë z. Haradinaj dhe ai të largohet, njëherë e përgjithmonë, nga lista e fletë-arresteve të Serbisë, për tu lënë i lirë që të vazhdoj punën e tij. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që në procesin e dialogut me Serbinë, si prioritet, të vendosë heqjen e fletë-arrestimeve të motivuara politikisht për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën që lëshoi sot Kuvendi i Komunës së Dragashit.