Ndahet nga jeta bilbili shqiptar, Vaçe Zela

vdiq vace zelaBazel, 06 shkurt 2014 – Në moshën 75-vjeçare, ndahet nga jeta këngëtarja e madhe shqiptare, Vaçe Zela. Zemra e saj pushoi së rrahuri në orën 01:00 të mëngjesit të sotëm, në një spital të Bazelit të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë. Trupi i këngëtares së ndjerë do të sillet të premten në Shqipëri, ku do t’i kryhen edhe nderimet e fundit, për tu prerë përgjithmonë në vendlindje, ashtu siç ishte edhe dëshira e saj.
Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm, Vaçe Zela, për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari. Këngët e saj mbesin të preferuara nga publiku edhe sot, ndonëse ajo është larguar përfundimisht prej skenës, në vitin 1992. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më vonë edhe në Televizion, duke fituar plot 12 çmime të para, rekord ky i paarritur deri më sot. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e muzikës së filmave.
Prej disa vitesh, Vaçe Zela jetoi në Zvicër. Ajo është e vetmja femër shqiptare, e nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti, Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”
Miq, kolegë dhe personalitete të politikës kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Vaçe Zelës. Ndër ta është edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se ndihet i pikëlluar për ndarjen nga jeta të bilbilit shqiptar. “Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtares dhe artistes së shquar, Vaçe Zela, e cila ka qenë dhe mbetet ikonë e muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Një zë origjinal, i papërsëritshëm dhe unikat në muzikën shqiptare. Zëri i mrekullueshëm dhe këngët e saj për Atdheun, janë perla të përhershme të trashëgimisë sonë muzikore. Ngushëllime familjes dhe dashamirëve të shumtë të saj”, ka shkruar Thaçi.

Leave a Reply