Muharrem Nitaj, jep dorëheqje – Nuk do që të jetë pjesë e dështimit!

doreheqja muharrem nitajPrishtinë, 10 shkurt 2014 – Kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Muharrem Nitaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Në njoftimin që ka shpërndarë vetë Nitaj, thuhet se dorëheqjen e ka ofruar, për t’mosë qenë pjesë e dështimit në këtë institucion. “Në pamundësi për t’i kryer detyrat në përputhje me kompetencat që kam dhe duke mos dashur të jem pjesë e një dështimi katastrofik në Universitetin e Prishtinës, jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së. Situata e krijuar në Universitetin e Prishtinës është më e rënda, që nga viti 2000, dhe sot janë atakuar funksionet më vitale të tij. Në një situatë të tillë, kërkohen vendime të rëndësishme për Universitetin dhe, në pamundësi për t’i ndërmarrë ato nga pozita që kam, vendimi më i arsyeshëm për mua është dorëheqja e parevokueshme. Do të ishte katastrofike, sikur rënia e Universitetit të Prishtinës të shënonte fillimin e rënies së shtetit, prandaj studentët, profesorët dhe opinioni publik do të duhej të viheshin në mbrojtje të tij. Politika, edhe këtë herë e ka plagosur rëndë institucionin më të lartë të dijes në vend!”, thuhet në kumtesën e Muharrem Nitajt.