Miratohet Projektbuxheti, por pa amendamentin e PTK-së!

kuvendi kosoves buxhetiPrishtinë, 26 dhjetor 2013 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 57 vota pro, 48 kundër dhe 1 abstenim, e votuan sot në tërësi Projektbuxhetin për vitin 2014, në lexim të dytë, por pa amendamentin numër 8, i cili kishte të bënte me privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, propozoi që pikat për raportin e privatizimit dhe hetimit të këtij privatizimi, të futen në rend dite. Ndërkaq, ministri i Financave, Besim Beqaj, në fillim të shqyrtimit të kësaj pike, njoftoi se Qeveria e Kosovës e tërheq amendamentin 8 nga projektbuxheti, i cili është miratuar në lexim të parë, më 21 nëntor 2013, por që Qeveria e Kosovës në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, më 12 dhjetor, kishte propozuar që në projektbuxhet për lexim të dytë të futet edhe ky amendament. Deputetet e partive opozitare patën paralajmëruar braktisjen e seancës, nëse shkon në Kuvend Buxheti për vitin 2014, së bashku me amendamentin për Privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së. Madje, Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, paralajmëroi se, nëse miratohet Buxheti me amendamentin 8, ata do ta dërgonin këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese. Pavarësisht heqjes së këtij amendamenti, Adem Grabovci, insistoi që Raporti për Privatizimin e 75 për qind të Aksioneve të PTK-së dhe formimi i Komisionit parlamentar, ad-hoc, për hetimin e privatizimit të Postës, të hyjnë për diskutim në Kuvend, si pika të rendit të ditës. Raporti për privatizimin dhe hetimi i privatizimit të PTK-së, kanë mbetur pa u shqyrtuar, pasi pozita dhe opozita nuk kanë mundur të pajtohen rreth këtyre çështjeve.
Në tetor dhe nëntor, disa seanca të kuvendit u shtynë për mungesë kuorumi, kur mendohej të shqyrtoheshin këto pika. Opozita kishte propozuar në shtator formimin e një komisioni për hetimin e privatizimit të PTK-së, ndërsa pozita insistonte që të miratohej raporti i privatizimit të kësaj ndërmarrjeje, e pastaj të hetohej ai privatizim. 75 për qind të aksioneve të PTK-së iu shitën konzorciumit “Axos & Najafi”, në prill, por finalizimi i këtij privatizimi ende nuk ka ndodhur.