Hatim Baxhaku, radhën e ka për deputet të Kosovës?

kuvendi kosoves baxhakuDragash, 02 dhjetor 2013 – Opojani që fitoi 6 mijë e 887 vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, por që nuk arriti të ulej në karrigen e deputetit, Hatim Baxhaku, në muajt e fundit të këtij mandati do të duhej ta shijonte këtë karrige. Kjo, pasi deputetët e LDK-së, Lutfi Haziri, Imri Ahmeti dhe Sali Asllanaj, tashmë kanë fituar postin e kryetarit, në komunat ku garuan në zgjedhjet lokale të së dielës. Pas fitores së tyre, ata obligohen që të heqin dorë nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Ulëset që ata do t’i lënë të zbrazëta në Kuvendin e Kosovës, sipas radhës, pritet t’i zëvendësojnë, Agim Ademaj, Hatim Baxhaku dhe Xhavit Uka. Kjo, pasi duke iu referuar rezultateve të KQZ-së, për zgjedhjet parlamentare 2010, Agim Ademaj kishte fituar 7 mijë e 53 vota, Hatim Baxhaku – 6 mijë e 887 vota dhe Xhavit Uka – 6 mijë e 472 vota.
Sipas nenit 25, pika 3, e Rregullores së Kuvendit të Kosovës, vendet e liruara të deputetëve, në çfarëdo rasti që përcaktohen me këtë rregull, plotësohen, në përputhje me nenin 70.4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 112 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili thotë: “Pasi një ulëse të mbetet e zbrazët, kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim presidentit, për plotësimin e ulëses së zbrazët. Një kërkesë e tillë duhet ta përfshijë edhe sqarimin, se pse u lirua kjo ulëse. Pas pranimit të kërkesës, sipas paragrafit 3 të këtij neni, nëse sqarimi i dhënë është i mjaftueshëm, presidenti duhet të kërkojë nga KQZ-ja që ta rekomandojë emrin e personit për ta plotësuar vendin e lirë. KQZ-ja duhet që, në afatin prej pesë ditëve të punës, nga momenti i marrjes së kërkesës, t’ia ofrojë presidentit emrin radhës së personit të ligjshëm, sipas paragrafit 2 të këtij neni”. Kjo nënkupton se, kandidatët e LDK-së që fituan për kryetarë komunash, do të zëvendësohen me kandidatët e radhës nga kjo parti, bazuar në numrin e votave që kanë fituar në zgjedhjet e fundit kombëtare.

Leave a Reply