Prishtinë, 31 korrik 2025 – I akuzuar për krime lufte, Millosh Pleskoviq, është dënuar me 15 vjet burgim pasi është shpallur fajtor se, gjatë vitit 1998-99, në Prizren, në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur, kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e ngritur më 7 qershor 2024, Millosh Pleskoviq, gjatë vitit 1998-99 në Prizren, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e civilëve.
I njohur me nofkën “Miki”, ai u dënua sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi u vertetua se, në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte vrarë dy pjesëtarë të familjes Daçaj, si dhe dhe Fatmir Bojaxhiun, në afërsi të lagjes “Hoça Mahalla”, në Prizren. Sipas aktakuzës, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të lagjes “Hoça Mahalla”, në Prizren, viktimat, së bashku me të dëmtuarit, Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendet afërsisht rreth 300 metra larg lagjes “Hoça Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje.
Derisa ishin duke ecur, ata hasën në një grup prej 7-8 personash të armatosur, të nacionalitetit serb, me uniforma policore e ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë, të cilët kishin dalë nga mali. Fillimisht, ata i kishin urdhëruar viktimat që të ndaleshin, pastaj i kishin fyer në gjuhën serbe.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë, Millosh Pleskoviq, ku në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “Kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, i ndjeri B.D. e ka shtyrë më krah Xhenger Canën, duke e hedhur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja, pasi që ishte më i riu në grup.
Të dëmtuarit, Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre ndërsa viktimat kanë mbetur të vrarë në vendin e ngjarjes. Pas një jave, familjarëve iu lejua t’i merrnin trupat e pajetë nga vendi ku ndodhi ngjarja, të cilët ishin të gjymtuar; njëri pa njërën këmbë, e tjetri pa kokë.
Millosh Pleskoviq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte
POSTIMI I RADHËSKomuna e Dragashit paralajmëron debate rreth buxhetit 2026