Me tenderin e ujit të Dragashit merret edhe “Fiks Fare” (Video)

Me tenderin e ujit të Dragashit merret edhe “Fiks Fare” (Video)

Dragash, 01 qershor 2021 – Komuna e Dragashit, ka disa vjet që ka nisur procedurën për një tender “Ndërtimi i Ujësjellësit të 15 fshatrave” dhe ende nuk e ka  mbyllur. Tenderi është shpallur në vitin 2017 dhe është bërë si procedurë më shumë se katër herë por, në të gjitha rastet, komisioni i ngritur nga Komuna zgjidhte fitues një firmë e cila nuk përmbushte kriteret edhe pse oferta e saj ishte më e vogël. Parashikimi fillestar apo fondi limit ishte rreth dy milion euro. Firma e katërt fituese, oferta e së cilës ishte 500 mijë euro, më shumë se ofertuesi i parë, ka bërë ankesa për parregullsi pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili ka nxjerr tetë vendime për rivlerësime dhe një të fundit urdhëresë për vijimin e procedurave, por që komisioni nuk pranon që t’i zbatojë. Sipas tyre, vendimet e OSHP-së ku nxjerrin tre firmat e para të papërgjegjshme janë abuzive, edhe pse ai është organ epror. Për këtë arsye vendimin e fundit ata e kanë ankimuar në Gjykatë rreth një vit më parë. Por, gjykata nuk është shprehur për pezullim të procedurave dhe as me vendim të ndërmjetëm. Ligjërisht, në këto kushte, Komuna e Dragashit duhet të vijojë me procedurat dhe të shpallë fitues ofertuesin e katër që i plotëson kushtet dhe që ka ofertën më të vogël, krahasuar me të tjerët, duke përjashtuar 3 të parët që, sipas OSHP-së, nuk i plotësojnë kushtet.
Emisioni “Fiks Fare” intervistoi administratorin e firmës “Puna”, Ardian Halilin, i cili ankohet se Komuna e Dragashit është duke mbajtur një qëndrim joligjor, pasi nuk po e shpall fituesin, të katërtin në listë, pasi tre ofertuesit e parë janë shpallur të papërgjegjshëm. Ai thotë se, për këtë arsye, kanë bërë edhe një kallëzim pranë Prokurorisë, por ende nuk kanë marrë një përgjigje. Sipas tij, OSHP-ja ka marrë nëntë vendime, ku i fundit është urdhëresë për rivlerësimin e ofertave. Ky vendim nuk është zbatuar prej Komunës së Dragashit dhe, në bazë të ligjit, lënda ka përfunduar në gjykatë. “Për sa kohë Gjykata nuk ka marrë një vendim për pezullimin e procedurave, në bazë të ligjit, Komuna e Dragashit duhet të vijojë me procedurën për shpalljen e fituesit”, ka thënë Halili.
Gazetarët e “Fiks Fare” kanë ardhur në Dragash, ku janë interesuar për këtë problematikë, por që kanë hasur tek zyrtarët, të cilët iu kanë thënë se nuk po e kuptojnë shqipen sepse janë goranë. Në kronikën e këtij emisioni, njëri nga specialistët e Zyrës së prokurimit thotë që kanë pasur presion nga OSHP-ja, ndërsa një tjetër thotë që është dikush i fuqishëm në OSHP, prandaj janë nxjerrë edhe këto vendime. Sipas tyre, ky tender ua ka sjellë shpirtin në majë të hundës sepse duhet ta shpallin fitues firmën e katërt, prandaj mendojnë se vendimet e OSHP-së janë të padrejta. “Nëse ne marrim një vendim të tillë, përfundojmë në burg”, dëgjohet teksa zyrtari i thotë gazetarëve.
Vet shefi i Prokurimit në Dragash, Nuro Ismaili, nuk ka pranuar të jepte intervistë për “Fiks Fare”. Këta të fundit, duke xhiruar fshehurazi, kanë nxjerrë në pah, teksa ky zyrtar thotë që e kanë bërë disa herë tenderin por vendimet e tyre i ka kthyer mbrapsht OSHP-ja. Sipas tij, deri sa të shprehet gjykata nuk do të shpallin asnjë fitues, edhe pse nuk ka një urdhër pezullimi nga gjykata. “Unë nuk nënshkruaj… Nuk dua që të shkoj në burg… Diferenca është 500 mijë euro më shumë se ai që e kemi shpallur ne si fitues”, dëgjohet teksa thotë Ismaili, duke mbajtur të njëjtin qëndrim edhe në përgjigjen më shkrim, ku kishte theksuar se vendimet e marra nga Organi Shqyrtues i Prokurimit janë të padrejta.
Në vendim thuhet se procedura për shpalljen e tenderuesit të suksesshëm për rivlerësimin e fundit që është bërë në këtë aktivitet të prokurimit, është përzgjedhur fitues konzorciumi “Fanaj Inginiering” nga Prizreni dhe “Lala” nga Shqipëria. Mirëpo, për shkak të ankesës nga një operator ekonomik, është pezulluar kjo procedurë nga ana e OSHP-së dhe lënda është kthyer prapë në rivlerësim. Megjithëkëtë, Autoriteti Kontraktues nuk është pajtuar me këtë vendim të OSHP-së dhe këtë lëndë e ka dërguar në Gjykatën Themelore – Departamenti për çështje administrative, për shqyrtim. Autoriteti Kontraktues nëntë herë e ka zbatuar vendimin e OSHP-së dhe lënda është kthyer në rivlerësim.
Ndërkohë që kjo procedurë tenderi, ku mungon shpallja e fituesit, është bërë si terren lufte mes institucioneve, barra rëndon mbi qytetarët e 15 fshatrave të Dragashit, të cilët duan ujë në shtëpitë e tyre, por ende nuk po e marrin.
Vlen të theksohet se Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka refuzuar ankesën Komunës së Dragashit, që në gjysmën e muajit prill, duke e obliguar që t’i respektojë vendimet e OSHP-së, ndaj së cilit institucion ishte ankuar. Por deri më tani, sipas përfaqësuesit të ndërmarrjes “Puna”, Ardian Halilit, ende nuk ka ndonjë lëvizje. “Komuna është ankuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër OSHP-së dhe tashmë e ka marrë përgjigjen. Konkretisht ankesa e tyre është refuzuar dhe Komuna është urdhëruar që t’i respektojë vendimet e OSHP-së. Nga ana tjetër, edhe ne e kemi dërguar çështjen në Gjykatë dhe ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje”, tha për redaksinë tonë Halili.