Covid-19: Mbi një mijë të vaksinuar në Dragash

Covid-19: Mbi një mijë të vaksinuar në Dragash

Dragash, 03 qershor 2021 – Ndërkohë që numri i të infektuarve me Covid-19 po shënon rënie drastike në vendin tonë, ndërsa në komunën e Dragashit ka kohë që nuk evidentohet ndonjë rast, mësohet se vaksinimi po vazhdon me ritëm të kënaqshëm. Kështu të paktën thotë drejtori i QKMF-së në Dragash, dr. Ramadan Jashari. “Ju njoftoj se, falë edhe njoftimeve që po bëhen nga redaksia juaj, vaksinimi tek ne po ecën me ritëm të kënaqshëm. Deri më tani kemi kaluar shifrën prej një mijë të vaksionuarish, ashtu siç është paraparë me planin operativ, duke përcaktuar grupmoshat që kanë prioritet”, tha sot për redaksinë tonë dr. Jashari, duke shtuar se furnizimi me vaksina është i mirë në institucionin që drejton ai.
Kujtojmë se aktualisht në komunën e Dragashit kemi vetëm dy 2 raste aktive. Numri total i të prekurve nga ky virus është 422, prej të cilëve 379 janë shëruar ndërsa betejën e kanë humbur 41 persona.