LDK-ja e përshëndet largimin e drejtorit të Arsimit!

LDK-ja e përshëndet largimin e drejtorit të Arsimit!

Dragash, 22 tetor 2016 – Dega e Lidhjes Demokratike në Dragash, si partia më e madhe opozitare në këtë komunë, e ka përshëndetur sot vendimin e drejtësisë për t’ia hequr të drejtën e ushtrimit të detyrës zyrtare drejtorit të Arsimit në Dragash, Hajri Ramadanit.
Në komunikatën që kjo parti ia ka dërguar redaksisë sonë, nuk janë lënë pa u apostrofuar mediet, të cilave iu është bërë apel që të merren më shumë me administratën komunale, për të cilën LDK-ja thotë se ka shumë parregullsi “Si partia më e madhe opozitare në këtë komunë, ne vazhdimisht jemi angazhuar kundër shkeljeve dhe parregullsive që po i bëjnë pushtetarët lokalë. Ky vendim, më në fund është jetësuar edhe me rastin e largimit të drejtorit të Arsimit, i cili ka kryer një sërë shkeljesh në fushën e arsimit, gjatë kohës sa ka qenë në këtë detyrë, madje në shumë raste është ndihmuar edhe nga kryetari i Komunës, Salim Jenuzi. LDK-ja në Dragash asnjëherë nuk i ka pasur si synim sulmet personale ndaj atyre që udhëheqin me Komunën tonë. E gjithë përpjekja jonë ka qenë dhe do të jetë që të angazhohemi në drejtim të përmirësimit të qeverisjes lokale, duke e përfaqësuar në mënyrë të dinjitetshme vullnetin e qytetarëve tanë. Ne shpresojmë se largimi i drejtorit të Arsimit, nuk do të jetë i fundit, pasi në këtë Komunë kemi me dhjetëra shkelje dhe parregullsi të tjera, ku janë të përfshirë edhe zyrtarë të tjerë komunalë, bashkë me udhëheqësin e tyre, Salim Jenuzin. Për të gjitha këto, LDK-ja në Dragash ka reaguar dhe do të reagojë në vazhdimësi, si dhe do të kërkojë nga organet e rendit që ta bëjnë punën e tyre. Ne iu bëjmë thirrje edhe medieve që të kenë më shumë interesim, në lidhje me zhvillimet politike në Komunën e Dragashit. Nuk duhet ta harrojmë faktin se jemi shpallur si Komuna më e papërgjegjshme në Kosovë”, thuhet në reagimin e LDK-së së Dragashit.

Leave a Reply