Kosova voton kryekomunarët – Testohet edhe niveli i demokracisë!

zgjedhjet lokale balotazhiPrishtinë, 01 dhjetor 2013 – Në 25 komuna të Kosovës, sot zhvillohet gara e balotazhit për kryetarë komunash, përmes së cilës qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që të zgjedhin kryetarët e tyre për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Hapjen e të gjitha vendvotimeve në komunat ku po zhvillohet balotazhi, e ka konfirmuar kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në konferencën e parë për media, duke theksuar se, në orët e para të procesit nuk është regjistruar asnjë problem. “Duke u bazuar në raportet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ), janë hapur me kohë të gjitha vendvotimet”, ka thënë Daka. Zgjedhjet do të mbahen edhe në tri vendvotime, në Zveçan, për shkak se atje janë regjistruar parregullsi në rrethin e parë të procesit zgjedhor. Në 25 komuna janë hapur 1816 vendvotime në 594 Qendra të Votimit, ku të drejtën e tyre qytetare do ta ushtrojnë rreth 1 milion e 40 mijë qytetarë, me të drejt vote. Ndërkaq, përmes postës, të drejt vote kanë, 11 mijë e 738 votues. Komisioni Qendror i Zgjedhje, tashmë e ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në raundit të dytë. Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur të shtunën të gjithë komponentët e përfshirë në procesin zgjedhorë. Ajo ka shprehur bindjen se Kosova do të dëshmojë pjekuri qytetare, dhe se do ta kalojë me sukses testin e demokracisë. “Zgjedhjet e 1 dhjetorit, duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë”, ka thënë Jahjaga, duke kërkuar nga organet përgjegjëse, që mos të tolerojnë askënd që do të mundohet ta cenojë procesin.
Në aspektin e sigurisë, Policia e Kosovës ka angazhuar mbi 5 mijë pjesëtarë të saj, për sigurinë dhe mbarëvajtjen gjatë procesit zgjedhor. Ndërkaq, për shkak të rrethanave specifike në veriun e vendit, Policia e Kosovës do t’i bashkërendojë veprimet me EULEX-in dhe KFOR-in. “Policia e Kosovës do të bashkëpunojë edhe me EULEX-in, si reagues i dytë, si dhe me KFOR-in, si reagues i tretë, në rast nevoje”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ngjashëm me votimet e 3 nëntorit, edhe në balotazh, ku janë përfshirë 50 kandidatë në garën për kryetarë në komunat e Kosovës, i gjithë procesi do të monitorohet dhe vëzhgohet nga afër prej organizatave joqeveritare, vendore dhe ndërkombëtare. Bashkimi Evropian, do të ketë 71 vëzhgues. Një numër të caktuar vëzhguesish do ta kenë edhe ENEMO dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Kurse, me mbi 1 mijë e 600 vëzhgues, votimet do t’i përcjellë edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

Leave a Reply