Konfiskohen mbi 80 kilogram narkotikë!

Konfiskohen mbi 80 kilogram narkotikë!

Prishtinë, 21 qershor 2021 – Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Shtetit, konkretisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – njësia në Prishtinë, ka realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit, i cili ka rezultuar me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar. “Arrestimi i personave është bërë mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale, blerje, posedim, shitje dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, mbajtja nën kontroll dhe shfrytëzim i paautorizuar i armëve, prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore dhe pa banderolë, si dhe shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore ose tarifave akcizore. Me urdhër të prokurorit  kompetent është bërë edhe kontrollimi i katër lokacioneve, prej tyre dy banesa të banimit, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Fushë-Kosovë, si dhe dy shtëpi në Gjilan, së bashku me një objekt përcjellës, të cilat dyshohet se grupi në fjalë i ka përdorur për fshehje, shitje dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe për kontrabandë të barnave me origjinë të dyshimtë”, thuhet në raportin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, duke specifikuar se, gjatë realizimit të kontrollit, në cilësi të provave materiale, në lokacione të ndryshme janë gjetur të fshehura këto prova të sekuestruara:

  • 82 kilogram e 914 gram marihuanë.
  • 100 paketime të barnave të kontrabanduara, me peshë prej 100 kilogramëve e 180 gramëve.
  • 1 pushkë gjuetie me 35 fishekë, si dhe dy qese najloni të mbushura me barot dhe sfera për municion.
  • 1 armë e gjatë (AK- 47) me një karikator.
  • 1 revole (TT) me një karikator dhe 6 fishekë.
    • 1 dylbi e armës së gjatë dhe 174 fishekë.
  • 5 automjete të ndryshme.
  • 15.774,50 € (Pesëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e katër euro e pesëdhjetë cent)
    • 20 franga zvicerane, si dhe barna të llojeve të ndryshme.

“Personat  e dyshuar janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit kompetent, janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raport.