Brenda ditës, tre raste të shkrehjes së armëve!


krismat dasmat ahengjetPrizren, 18 gusht 2014 – Policia e Prizrenit ka njoftuar sot për disa raste të të shtënave me armë zjarri, si pjesë e ahengjeve familjare, ndonëse ky veprim është i ndaluar. Një veprim i tillë konsiderohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, por në të shumten e rasteve kjo po bëhet nga ata që armët i mbajnë pa leje përkatëse.
Në komunikatën e policisë thuhet se, gjatë 24 orëve, në rajonin e Prizrenit janë identifikuar tre raste të shkrehjes së armëve. “Në Rajonin e Prizrenit janë sekuestruar tre armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nëpër dasma, duke shkaktuar kështu rrezik të përgjithshëm për qytetarët. Rreth orës 17:20, në fshatin Pagarushë të Malishevës, është identifikuar një person, i cili kishte shtënë me kallashnikov në një dasmë e më pas e kishte fshehur atë në një veturë me targa sllovene. Rasti i dytë është regjistruar rreth orës 20:30 në Prizren, ku një patrullë policore kishte dëgjuar të shtëna dhe, pasi kishte hyrë në atë lokacion, i dyshuari e kishte hedhur armën dhe kishte marrë arratinë. Policia ka pyetur një qytetar, i cili kishte dasmë në afërsi, por i njëjti i kishte thënë policisë, se nuk dinte asgjë për rastin. Policia e ka sekuestruar pistoletën me katër fishekë dhe po e heton rastin. Ndërkaq, rasti i tretë ka ndodhur rreth orës 21:35, në fshatin Apterushë, në kohën kur, afër fshatit po patrullonte një patrullë policore. Me t’i dëgjuar krismat, policia ka shkuar në shtëpinë ku bëhej dasmë dhe nga i zoti i shtëpisë ka konfiskuar një pistoletë të prodhimit gjerman, me kalibër 9 milimetra. Për të gjitha rastet është informuar prokurori i shtetit, i cili ka sugjeruar që rastet të ndiqen sipas procedurës së rregullt”, thuhet në komunikatën e policisë, ku apelohet që mos të përdorën armët, pasi kështu po rrezikohet jeta e njerëzve të pafajshëm dhe prona e tyre. “Në të kundërtën, jemi shumë të përkushtuar që, kudo dhe kurëdo që dëgjojmë ose në ndonjë mënyrë tjetër pranojmë informacione për armë ilegale, do të kryejmë bastisje”, thuhet në komunikatë.