Armët kimike të Sirisë, do të shkatërrohen në det!

siria syria hartaUashington, 28 nëntor 2013 – Pas refuzimit të Shqipërisë, për tu shkatërruar armëve kimike të Sirisë në tokën e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke planifikuar që këtë ta bëjnë në det, raporton BBC, duke shtuar se do të jetë luftanija “MV Cape Ray”, ajo që do të mbajë ngarkesën, e cila më pas do të shkatërrohet me një teknologji të avancuar.
Në bordin e kësaj anije luftarake do të vendosen pajisjet e nevojshme teknike për realizimin e këtij procesit, i cili ka nevojë për shumë ujë, gjatë fazës së shpërbashkimit të lëndëve kimike, nga të cilat krijohen mbetje toksike. Afati i mëparshëm për fillimin e shkatërrimit, tashmë ka skaduar më 15 nëntor, pasi Shqipëria dhe disa vende të tjera refuzuan kërkesën për të pranuar procesin e shkatërrimit në tokat e tyre.
Aktualisht, arsenali kimik sirian, kryesisht i përbërë nga gazi “Sarin” dhe “Mustard”, po mbahet në vende të sigurta në Siri, nën mbikëqyrjen e rreptë të inspektorëve. Zyrtarisht, Siria ka deklaruar se posedon në total rreth 1.3 tonë lëndë kimike, ndonëse dyshohet se mund të ketë më shumë se kaq.

Leave a Reply