KDI i rekomandon kryetarit të Dragashit, që të respektojë ligjin!

naim cahani kdiDragash, 11 mars 2014 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një konferencë për media ka publikuar raportin mujor të monitorimit të Kuvendeve të Komunave në regjionin e Prizrenit, ku janë pasqyruar mosrespektimet e procedurave dhe shkeljeve ligjore. Sipas KDI-së, Kuvendet e Komunave të Prizrenit, Suharekës, Malishevës, Dragashit dhe Mamushës, kanë mbajtur vetëm nga një seancë të rregullt, ndërsa Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka mbajtur dy seanca, njëra prej të cilave ka qenë e thirrur si e jashtëzakonshme.
Sa i përket Kuvendit të Komunës së Dragashit, KDI ka konstatuar se ky legjislativ ka dështuar në zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete, përkundër tentativës që, me shkelje procedurale, ai të emërohet, për shkak të propozimit të dy emrave dhe votimit me vota të fshehta nga subjektet politike minoritare, të përfaqësuara në këtë institucion. “Instituti Demokratik i Kosovës i rekomandon Kryetarit të Komunës së Dragashit që të respektojë këtë dispozitë ligjore, në rastin e propozimit për emërimin e nënkryetarit për komunitetet”, ka thënë në konferencë, Naim Cahani, duke shtuar se, në komunat e regjionit të Prizrenit, obligim ligjor në zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete kanë Prizrenit dhe Dragashi. “Referuar nenit 6.2 të Udhëzimit Administrativ të MAPL-së, Nr. 2014/01, për procedurën e emërimit të nënkryetarëve, nënkryetari i Komunës për Komunitete emërohet nga radhët e komunitetit joshumicë, i cili për nga numri përbën komunitetin joshumicë më të madh në komunë”, ka cituar Cahani Udhëzimin e MAPL-së, duke shtuar se, bazuar në nenin 61 të LVL-së, Komunat ku, të paktën 10 për qind e qytetarëve i përkasin komuniteteve joshumicë, duhet të kenë një nënkryetar për komunitete. “Emërimi dhe shkarkimi i nënkryetarit për Komunitete propozohet nga kryetari i Komunës dhe duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës, si dhe nga shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës që janë të pranishëm dhe votojnë”, ka thënë Cahani.

Leave a Reply