Jeta me dashuri, tradhti apo me humanizëm?!

Jeta me dashuri, tradhti apo me humanizëm?!

Nga: Blendiana SELAJ


• Njerëzit kanë një jetë jo të sigurt. Një jetë, në të cilën gjenden mjaft elementë sa të mirë po aq edhe të këqij. Janë tradhtia, besnikëria, dashuria, humanizmi dhe shumë e shumë të tjera.
Çfarë e bën njeriun të jetojë? Kurioziteti, ideja dhe mendimi se çfarë do të ndodhë nesër, pasnesër e kështu me radhë. Por, për kë është më vështirë apo më thjeshtë për të pritur të nesërmen? Ndoshta për të dyja gjinitë, ndoshta për njërën prej tyre. Jeta nuk është fare e thjeshtë. Prandaj dhe çdo kush përpiqet që të gjejë ngushëllim tek një tjetër person i cili mund të jetë personi i jetës së tij. Burri ose gruaja, krahu i djathtë i njëri-tjetrit. Kush do të mund të durojë më shumë pranë tjetrit pa e tradhtuar? Gruaja sigurisht, shembulli më i mirë i besnikërisë dhe dashurisë. Prandaj dhe shquhet për brishtësinë e saj sepse është kaq e kujdesshme në atë që bën. Ndërsa burri tenton gjithmonë të jetë human pranë saj, të jetë i ndjeshëm dhe të shfaq interesin që ajo kërkon prej tij. Përpiqet të rezistoj sa më shumë të jetë e mundur nga tundimi i tradhtisë. Ai nuk ka frikë nga tradhtia por ka frikë nga ajo çfarë mund të humbasë, ose jo. Ka frikë se mos ndoshta ai kristal që mban në duar do të mund t’i rrëshqasë në çastin kur do të jetë i shpërqendruar nga tradhtia. Pasojat dihen, kristali do të thyhet. Por, sërish ai nuk do të tregojë kujdesin e nevojshëm. Do të mërzitet shpejt me të njëjtën pamje të mëngjesit që, pas sa kohësh, do t’i duket si diçka e vjetër, si një ushqim që e konsumon tre herë në ditë dhe që tashmë nuk është asgjë tjetër veçse një ushqim bajat. Çudi, sepse ushqimi nuk mund të quhet demode, por një burrë i uritur do ta bënte këtë gjë. Ai thjesht nuk mund të arrijë të imagjinojë mijëra mëngjese të njëjta, me të njëjtën fytyrë, me të njëjtën aromë, me të njëjtën këtë apo atë. Është shumë e vështirë. Dhe kështu nisin mendimet e turbullta. Nuk je më ai frikacaku i disa kohëve më përpara që kishte frikë të hidhte spirancat e mendimeve drejt hapësirave të ndaluara. Tashmë ke nisur të kuptosh që nuk po të sheh askush, nuk mund të të spiunojë njeri dhe se e ashtuquajtura gardian grua nuk mund të hyjë dot në qelinë e mendimeve. Mendimet e këqija po të kaplojnë kokën dhe ti as që po e vë re fare. Tregohesh i shkujdesur. Mendon për një tjetër, duke e pasur tënden përballë dhe, sa herë që të pyet se si duket, ti mendon pa hezituar: Jo më e mirë se ajo që pashë dje në market apo rrugë apo ku ta di unë. Dhe nga nevoja për t’u përgjigjur, dëgjohen fjalët: Shkëlqyeshëm e dashur! Dhe këtu ironia jote është në maksimum.
Sikur ajo të dinte atë që po mendoje?! Kristali me siguri që do të thyhej. Por jo, ai vazhdon të qëndrojë i bukur si në fillim. Dhe ti sërish nuk tregon kujdes. Duket që nuk e di se ç’ke në krah. Mendimet nisin të shprehen konkretisht. Dëshirojnë çdo ditë e më shumë të të kontrollojnë, të të marrin nën vete dhe të të bëjnë një njeri të mbaruar. Tashmë ti nuk mendon, ke nisur të veprosh pa e pyetur veten mirë. Aroma dhe kurioziteti i shijes së një ushqimi tjetër po të bën për vete. Racioni yt i preferuar tashmë t’është mërzitur, ke nisur ta shtysh tutje, pa asnjë arsye. Shpreso të bësh gjënë e duhur ndryshe, nuk do të ketë kthim pas.
Nuk mund ta quash veten të ngopur pa e provuar, qoftë edhe pak. Dëshiron të dish me patjetër, nëse është pikant apo i ëmbël, i kripur apo… kush e di se si. Dhe, pasi ke shuar kuriozitetin, rikthehesh tek racioni yt, tek i ashtuquajturi demode. Tashmë e adhuron me gjithë shpirt, të duket më me shije se kurrë. Shpreso që të mos jetë ftohur, ndryshe do të shohësh një kristal të copëtuar.

(Autorja është në prag të diplomimit në Kolegjin UBT, dega Infermieri, si dhe në Universitetin e Prizrenit, Shkencat Kompjuterike. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion nuk paraqesin domosdo edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)


 
Radio Sharri