Hidhërohet me Kuvendin e Dragashit – Ikën investitori!

investitori vllaznim krasniqi

Vllaznim Krasniqi (afarist)

Dragash, 31 mars 2016 –  Një investitor lokal nga Dragashi kishte planifikuar ndërtimin e një pallati me 50 banesa, prej të cilave do t’i falte 10 sosh, konkretisht për familjarët e dëshmorëve dhe rastet sociale. Mirëpo, në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Dragashit, u largua nga rendi i ditës pika që parashikonte pëlqimin e legjislativit për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të parcelës, ku do të ndërtohej ky pallat.
Me të filluar seanca, anëtari nga radhët e PDK-së, Artan Loshaj, kërkoi largimin e kësaj pike nga mbledhjen e sotme, për ta sjellë në një mbledhje tjetër, siç tha, bashkë me detajet ku do të sqarohej se kush, çka dhe si do ta ndërtojë këtë pallat. “Nuk jam kundër ndërtimit të këtij pallati dhe as kundër investitorëve por, në këtë formë ne nuk kemi asgjë të qartë. Ne duhet të dimë se çfarë po votojmë dhe ku është interesi i përgjithshëm në këtë investim”, tha Loshaj, propozimi i të cilit u përkrah nga shumica e anëtarëve të Kuvendit.
Me ta parë refuzimin, ishte vetë investitori që reagoi, duke thënë se këtë veprim nuk e kishte pritur. Aty u bë e ditur se ishte, Vllaznim Krasniqi, ai që kishte vendosur ta bënte këtë investim. “Unë jam investitori që kisha menduar ta bëjë këtë investim, me qëllimin më të mirë që të jap kontributin tim për vendin. Por, tani e pashë se sa jeni të interesuar dhe, ju mund ta sillni përsëri këtë kërkesë por unë nuk dua më të investojë”, tha Krasniqi, i cili i revoltuar e braktisi sallën.
Pasi ka braktisur Kuvendin, Krasniqi dha për radion tonë më shumë detaje, rreth asaj që kishte planifikuar dhe që tashmë ka hequr dorë. “Ideja ishte që të ndërtoj 50 banesa, nga të cilat 10 do t’i jepja falas për familjarët e dëshmorëve dhe rastet sociale. Banesat tjera do të shiteshin me një çmim të volitshëm, madje më lirë seç shiten sot banesat e vjetra. Një banesë prej 67 metrash katrorë do të shitej për 23 mijë euro, e që shumëkush do të ishte i interesuar për ta blerë”, tha Krasniqi, duke shtuar se i gjithë ky investim do të kushtonte rreth 900 mijë euro dhe do t’i shërbente edhe vetë qytezës së Dragashit. “Ju e dini se pasditeve Dragashi është, pothuajse i boshatisur nga njerëzit. Nuk është pakë t’i shtoheshin 50 familje kësaj qyteze. Por, atë që pashë në kuvend, më bindi se nuk ka interesim për asgjë pozitive në këtë komunë”, tha Krasniqi për Radio Sharrin, duke shtuar se investimin e paraparë për në Dragash, do ta bëjë jashtë shtetit.
Nga ana tjetër, ai që propozoi largimin e kësaj pike nga mbledhja e sotme, tha për radion tonë se propozimi i tij nuk ishte reflektim kundërshtues por kishte qëllimin më të mirë të mundshëm. “Kjo që kërkova unë, nuk ishte kundërshtim për këtë investim. Por, ideja ishte që të qartësohen gjërat dhe jo të kemi nesër probleme. Fundja, nuk mund të kërkohet nga ne që të votojmë për diçka që nuk e kemi të njohur se kush dhe çka do të investojë, pa e specifikuar paraprakisht se ku është këtu interesi i përgjithshëm. Unë jam pro ndërtimit, por jo në këtë mënyrë. Unë jam që paraprakisht të dihet se çfarë po bëjmë dhe ku është këtu interesi i komunitetit, pasi unë kisha një peticion nga banorët e fshatit Shajne, të cilët ishin të interesuar të dinë më shumë se çfarë do të bëhej”, tha Loshaj për Radio Sharrin.

  • xheni

    Ka qene me mire te sillej si pike ne diskutim ne kuvend e pastaj pasi te analizohej te votohej , e jo te refuzohej ashtu sic eshte bere. Po fundja fundit kjo eshte tradite per komunen tone dhe asambleistet e menqur qe i ka zgjedh populli .

  • Sherri

    Neper Kuvendet Komunale te Kosoves jane te angazhuar njerez pa asnje dije adekuate, qe e kane thirre kete investor me sherr. Kur dikush kerkon transparence ky hidherohet. Ashtu KUR ME HILE IA KA NISUR. Truck eshte ky. Te ishte pa hile i kishte dhene informatat qe u kerkuan.
    INVESTITORI, haha, banesa po investon. Pse nje ndermarrje jo? Hehe.