Fëmija që rritet me nënën 26 vjeçe dhe babain 80 vjeçar (Video)


martesa ndryshe femijaKukës, 12 nëntor 2014 – Zikriu, është fëmija që ka ardhur në jetë, më 18 shtator të këtij viti, në maternitetin e Kukësit. Nëna e tij është 26 vjeçare dhe me të meta mendore, ndërsa babai është një plak 80-vjeçar. Aktualisht, Zikriu po rritet në familjen e prindërve të nënës, pasi i ati nuk ka asnjë interesim për të, raporton Top Channel. “Vajza është 26 vjeçe ndërsa burrin e ka një 80 vjeçar nga Hasi. Ajo nuk i ka marrëdhëniet e mira me të shoqin, pasi 100 herë e ka marrë dhe 100 herë e ka sjellë këtu. Kur s’ia merr mendja, pse e merr. Burri i saj i ka 6 fëmijë, por ska asgjë në terezi”, thotë Xhaferri, babai i nuses.
Prindërit e Lindës, kur ajo ishte 20 vjeç, ishin gati të pranonin çdo lloj kompromisi për martesën e vajzës, nisur nga kushtet e saj shëndetësore. Dhe, ironia e fatit e dorëzoi atë në shtratin e një të moshuari. “E dhashë vajzën tek ky njeri, sepse më gënjeu shkuesi. Në fakt, më thanë për në Kosovë, pasi andej kishte qejf të martohej vajza. Por, ishte nipi im që më gënjeu. Ia nxorëm pasaportën 7200 lekë. Tani burri e merr vajzën time, por nuk e mban shumë. E sjell shpesh këtu”, thotë Shkurta, e ëma e Lindës, vajzës e cila u mashtrua me ndërmjetsim të shkuesit dhe sot e tetë vjet është në këtë lidhje të pazakontë martesore. Para pak kësh, erdhi në jetë djali i tyre Zikriu, por nga ana e babait duket se nuk ka kurrëfarë interesimi. “Se ka parë fare në maternitet. Vetëm kur më ka telefonuar pas dy-tre javësh, e kam njoftuar se ka lindur fëmija. Le të lindë. Unë s’kam ku ta çoj, më tha. E njeh si fëmijë, e kam regjistruar unë në gjendjen civile, por po rritet këtu tek unë”, thotë babai i nuses, Xhaferi.
Përpos instiktit si nënë, Linda nuk mund t’i ofrojë shumë përkujdesje birit të saj që ende si ka mbushur dy muaj jetë. “Djali është një muaj e gjysmë dhe e dua, sepse e kam bërë me burrin tim. Kujdesem për të, sepse më dhimbset, se e kam fëmijë”, thotë Linda për djalin e saj.
Tani, ajo dhe fëmija janë edhe një barrë ekonomike për shtëpinë e të atit, i cili me të ardhurat që arrin të mbledhë, nuk ia del dot as të mbajë frymën e pjesëtarëve të familjes së tij. “Me përkrahje jam nga shteti dhe marr 3500-4000 lekë. Madje, punoj edhe tek një privat, ku marr 13 mijë lekë si roje”, thotë Xhaferi.
Familja Cena përbëhet nga 5 anëtarë. Xhaferi, Shkurta, si dhe dy fëmijët e tyre, një djalë dhe një vajzë, të cilët janë me probleme mendore. Së fundmi, atyre iu është shtuar edhe i vogli Zikriu. “Me lekët tona dhe me lekët e punës së tij si roje, gjithsejtë bëhen 13 mijë lekë në muaj. Me ato e rrisim dhe kujdesemi për fëmijën”, thotë Shkurta.
Fqinjët e kësaj familjeje, e cila jeton në lagjen “Gostil” të Kukësit, ndjejnë shumë keqardhje për kushtet ekonomike me të cilat përballen ata. Por, thonë se nuk kanë asgjë në dorë për të ndryshuar fatin e tyre. “Është familje e varfër dhe nuk ka mbështetje fare. Të paktën ta shikojë shteti, se familja është me probleme të shëndetit mendor, qoftë djali, qoftë vajza. Jam i mendimit se atyre iu takon një pension invalidor. E gjithë familja vuan nga depresioni dhe nga të metat mendore. Ata nuk punojnë asgjëkundi. Marrin vetëm një përkrahje sociale, sa për të mbajtur frymën”, thonë disa nga fqinjët e kësaj familjeje kuksiane. Përtej varfërisë, skamjes, urisë, mungesës së vëmendjes dhe kujdesit të strukturave përkatëse për këtë familje, në kushte jashtëzakonisht të vështira, ajo çfarë trondit edhe këta banorë, është martesa e vajzës me një të moshuar, të cilët tashmë janë prindër të një jete të re. “Nuk e di. Nuk kam asnjë koment për martesën e vajzës”, thotë njëri prej komshinjve. “Kam marrë vesh se vajza ka sjellë në jetë një djalë, ku nuk ka qenë i pranishëm babai i fëmijës në maternitet. Sipas fjalëve, thuhet që babai është plak i vjetër, mbi 70 vjeç, ndërsa këtej nuk vjen fare, nuk e di, nëse interesohet apo jo”, thotë një tjetër komshi i familjes. (Top Channel)


Leave a Reply