Edhe opojanët ia mësyjnë Perëndimit (Video)

emigrimi opojanetDragash, 01 shkurt 2015 – Një pesëdhjetëvjeçar nga treva e Opojës, ka tre ditë që është nisur për Hungari, me shpresën se do të gjej zgjidhje ekonomike diku në Perëndim, pasi ka mbetur në gjendje të vështirë ekonomike në fshatin e tij, ku jeton me dy djem të rritur dhe me babanë plak. Ky i fundit ka mbetur si burim i vetëm financiar i familjes, me pensionin e tij prej 120 eurosh.
Për këtë fenomen që e ka kapluar mbarë vendin dhe ku as komuna e Dragashit nuk ka mbetur e paprekur, sot na ka shkruar një lexues, i cili thotë se familja e pesëdhjetëvjeçarit që po pret i ngujuar në një fshat të Suboticës (Serbi) për të kaluar kufirin me Hungarinë, është tejet e shqetësuar për fatin e kryefamiljarit të tyre “Ai sonte do të tentojë kalimin e kufirit në këmbë dhe e gjithë familja janë në ankth se çfarë do të ndodhë me të. Jam i afërm i kësaj familje dhe e di këtë rast, por edhe raste të tjera të ikjes së banorëve nga Dragashi drejt perëndimit”, thotë lexuesi ynë, pa dashur të identifikohet në publik, por i njohur për redaksinë tonë. Ky lexues ka dërguar edhe pamje të ngjarjes në fjalë, ndërsa thotë se, brenda javës që po e lëmë pas, janë dhjetëra banorë nga komuna e Dragashit që kanë ikur dhe ende nuk dihet për fatin e tyre.
Pesëdhjetëvjeçari në fjalë kishte mbetur pa punë, pas 15 vjetësh që punonte në një kompani private, ndërsa djemtë e tij, njëri 25 vjeçar dhe tjetri 21, gjithashtu i ka pa punë. Por, në familje ka edhe babanë 91 vjeçar, i cili kishte punuar 46 vjet në arsim dhe tani mbijeton me pensionin linear që po e gëzojnë të moshuarit në Kosovë. “Ai, ia ka mësyrë Gjermanisë, po nuk e kapën sonte në kufirin e Hungarisë. Para nuk ka me vete, pasi ia kanë marrë personat që po merren me kontrabandimin e tyre”, njofton lexuesi ynë, duke shtuar se edhe vet është i pezmatuar për fatin e të afërmit të tij, si dhe të shumë banorëve të tjerë që po ikin për çdo ditë nga Kosova.

• Shiko VIDEO

KËRKO FJALËT