Në Dragash sulmohet 14-vjeçarja nga qentë endacakë (Foto)


qent endacak komunaDragash, 04 gusht 2014 – Pak gjë ka munguar që një vajzë 14-vjeçare të mos pësoj keq nga qentë endacakë të Dragashit, të cilët mund t’i hasësh në çdo cep të kësaj qyteze, madje edhe në mes të sheshit kryesor. Babai i vajzës, e cila pësoi lëndime trupore, teksa po ikte nga ndjekja e qenve, Ajet Bahtiari, tha për radion tonë se, vetëm fati ka dashur që në familjen e tij të mos ndodhte tragjedia. “Kjo që po ndodhë në Dragash, është tmerr. Më shumë të drejta kanë fituar qentë se sa njerëzit që banojnë këtu në Dragash. Si është e mundur që të tolerohen, afër 50 qenë endacakë, në një vendbanim të vogël, siç është Dragashi? U ankova në polici, por ata më thanë se nuk kanë se ç’bëjnë me këta qenë, pasi ligji po i mbroka nga vrasja e tyre. U ankova edhe në Komunë, por edhe ata thonë se nuk guxokan t’i vrasin, sepse qenkan të mbrojtur me ligj. Po në që banojmë këtu, ka ligj që na mbron? Po sikur të ma shqyenin vajzën, çfarë do të më thoshin këta që po i mbrokan qentë? Nuk di, nuk di… Shyqyr që vajza më shpëtoi vetëm me lëndime, se ndryshe nuk kam idenë se çfarë do të bëja”, tha për Radio Sharrin prindi i vajzës së sulmuar sot nga qentë endacakë, Ajet Bahtiari, duke shtuar se kohët e fundit nuk po zbrazen me rregull as kontejnerët e mbeturinave dhe kjo ka bërë që të shtohen edhe më shumë qentë, pasi aty hidhen edhe mbetjet nga mishtoret.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, në çdo mbledhje të Kuvendit të Komunës apo në çdo tubim me qytetarët, është ballafaquar me ankesat për qentë e shumtë endacakë në Dragash, por përgjigjja e tij gjithnjë ka qenë se nuk mund të intervenojnë. “Nuk është situata si dikur, kur vriteshin qentë. Sot ata janë të mbrojtur me ligj dhe nuk dimë as ne se çfarë të bëjmë me ta”, është përgjigjur Jenuzi në këto ankesa, duke mos dhënë ndonjë përgjigje, nëse po shikohet mundësia e bashkëpunimit me strehimoret e qenve, me të cilat do të zgjidhej ky problem, edhe pa i vrarë qentë.