Dy pylltarë të Dragashit plagosen nga hajdutët, shtetas të Shqipërisë!

Dy pylltarë të Dragashit plagosen nga hajdutët, shtetas të Shqipërisë!

Dragash, 17 korrik 2019 – Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, sot ka njoftuar për rastin e djeshëm, kur dy zyrtarë të Agjencisë Pyjore të Kosovës, teksa po ushtronin kontroll në pyll, në zonën e fshatit Orçushë të Dragashit, janë sulmuar nga dy shtetas të Shqipërisë.
“Zyrtarët kishin vërejtur se në zonën e tyre të përgjegjësisë, dy persona po kryenin veprim të kundërligjshëm, duke vjedhur dru. Kur zyrtarët kanë kërkuar t’i legjitimojnë të dyshuarit, janë sulmuar me thikë, njërit prej tyre ka marrë lëndime të rënda trupore, e që me urgjencë është dërguar në QKMF-në e Dragashit dhe më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Të dyshuarit, shtetas të Shqipërisë, përveç dëmtimit të pyjeve kanë kryer edhe veprime të tjera, në kundërshtim me ligjet, duke kaluar kufirin në mënyrë ilegale, ku kanë sulmuar dhe kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore ndaj personave zyrtarë dhe të njëjtit kanë arritur të largohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, përmes rrugëve hetimore-operative ka arritur të mësojë për identitetin e personave të dyshimtë dhe, në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, si dhe organet e drejtësisë, shumë shpejt do t’i kapë të dyshuarit e këtij rasti, për të cilin është informuar edhe prokurori kompetent në Prokurorinë Themelore në Prizren”, thuhet në raport.