Dragash: PDK mbetet e para në Kuvend, e dyta për kryetar!

Dragash: PDK mbetet e para në Kuvend, e dyta për kryetar!

Dragash, 18 tetor 2021 – Pas numërimit të votave të banorëve rezidentë, më që ende nuk dihen votat e mërgatës, rezulton se në zgjedhjet e mbajtura të dielën, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë gjithsej 4455 vota ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 4318 vota. Ndonëse priste më shumë sukses, Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka marrë vetëm 2275 vota. Kjo, sa i përket garës për të parin e Komunës por, sa i përket Kuvendit, PDK-ja vazhdon të mbetet e para, duke u ndjekur nga LDK-ja, ndërsa LV-ja do të jetë e treta për nga përfaqësimi në Kuvend.
Në nivel vendi, fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve rezulton të jetë Lista Serbe (SL), e cila fitoi pa balotazh nëntë komuna, nga 10 në sa garonte. E dyta është Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi pa balotazh në Skenderaj, Mitrovicë, Ferizaj dhe në Han të Elezit. E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka fituar në Pejë dhe Lipjan, ndërsa po aq komuna ka fituar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila arriti ta mbajë pushtetin në Suharekë dhe Deçan.
Fituesja e zgjedhjeve të përgjithshme të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur që ta mbajë asnjë komunë, në të cilat ajo qeveriste deri më tani.