DËNIMI ME VDEKJE – Pro et Contra!

DËNIMI ME VDEKJE – Pro et Contra!

Nga: Beqir BEQAJ


• Dy vëllezërit, Josif dhe Dritëbardh Çuko, nga fshati Libofshë e Fierit, në Shqipëri, u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë, të cilën e kryen në fshatin e tyre, më 29 maj të vitit 1992. Ata kishin hyrë në mesnatë në shtëpinë e familjes Puto, ku vranë djalin e vogël të shtëpisë, bashkë me nusen e tij, pastaj vranë babanë dhe nënën e djalit, e në fund e mbyllën veprën e tyre kriminale, duke vrarë edhe një foshnje tetëmuajshe.
Vdekja e 5 anëtarëve të familjes Çuko bëri bujë të madhe në Shqipëri, ku u kërkua nga qytetarët që dorasëve të kësaj vepre t’iu jepet dënimi me vdekje. Pas një gjyqi 24 ditor, të dy vëllezërit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me vdekje, saktësisht u varën në sheshin e qytetit.
Spektakli i trishtueshëm i varjes së tyre ndodhi më 25 qershor 1992, në qendër të Fierit. Trupat e tyre u lanë të varur deri mbrëmjen e ditës së nesërme, për tu parë nga popullata që erdhën edhe nga qytetet tjera të Shqipërisë. Atëbotë, kishin kaluar vetëm tetë muaj, që kur demokracia ishte futur në Shqipëri por që legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende. Ky ishte dënimi i fundit me vdekje, i aplikuar në Shqipëri, pasi reagimet e shumta nga brenda dhe jashtë Shqipërisë e detyruan qeverinë demokratike që të ndërhyj në legjislacion, nga i cili do të hiqej masa e dënimit me vdekje.
Sot, kur Shqipëria dhe mbarë trojet tjera shqiptare kanë ndryshuar në çdo fushë, ndonëse këto ndryshime lënë për të dëshiruar shumë më shumë, shtimi i numrit të viktimave, si pasojë e kriminalitetit, në popullatë është zgjuar kërkesa që masa e dënimit me vdekje të aplikohet sërish.
Sado që kjo tingëllon si kthim prapa për shoqërinë shqiptare, nuk mund të hesht asnjeri, kur shikon se sot krimi po merr çdo ditë jetë njerëzish të pafajshëm. Vrasjet makabre të femrave, për motive të dobëta anekënd trojeve shqiptare, dhunë nëpër familje, qërim hesapesh mes kriminelëve kudo… Të gjitha këto skena, sigurisht që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë nga shteti.

Siguria e qytetarit është obligim i qeverisë

Në shtetet demokratike, qëllimi i qeverive është që të bëjnë atë që është në dobi për secilin qytetar, duke ua garantuar atyre, fillimisht jetën dhe lirinë e lëvizjes, për tu marrë më pas edhe me mirëqenien e tyre, përmes garancive për të drejtat ekonomike, si dhe duke ua mbrojtur qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit, vlerat humane.
Në fakt, e drejta për jetë është e garantuar edhe me ligj, ku thuhet se jeta e çdo personi mbrohet me ligj, si e drejtë themelore. Po ashtu, e drejta për jetë është e garantuar edhe me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilën edhe shtetet tona e kanë bërë pjesë të brendshme të legjislacionit. Por, në praktikë, e drejta për të jetuar na është rrezikuar seriozisht, sikurse që është na është rrezikuar edhe e drejta ekonomike, ku mungon siguria për të ushtruar qetësisht veprimtari biznesi apo edhe më keq, në Shqipëri e drejta e pronës, e cila, në të shumtën e rasteve nuk iu kthye të zotit, pas rënies së sistemit të egër monist, i cili ua kishte konfiskuar qytetarëve çdo pëllëmbë të pronës private. Pikërisht kjo padrejtësi, shpeshherë po bëhet shkas për qërim hesapesh mes qytetarëve, madje edhe brenda familjeve.

Vrasje, kudo dhe për çdo ditë!

E trishtueshme është, kur dëgjon për çdo ditë për vrasjen e një të vetëpunësuar, i cili me aktivitetin e tij ushqente familjen, pa iu bërë barrë shtetit. Apo, kur dëgjon vrasjen e zyrtarëve nëpër banka, posta etj. Sa e trishtueshme ishte një skenë në Vlorë, kur, teksa po i shijoja bukuritë e këtij qyteti, pasi kisha ardhur nga Kosova që të t’i kaloja pushimet verore në plazhin jugor, papritmas dëgjoj krisma kallashnikovi në pikë të drekës, e që ma përkujtuan luftën e Kosovës. Në mbrëmje, dëgjoj në lajme se si e kishin plaçkitur një grua, e cila po i tërhiqte paratë e saj që i kishte fituar jashtë atdheut. E trishtueshme ishte edhe grabitja e një argjendarie në Suharekë. Por, kulmi i vrasjes makabre ishte rasti më i freskët i vrasjes së bashkëshortes me porosi!
Si shqiptar, më shumë më pëlqen të dëgjoj lajme të tipit servisor, se si është gjendja në trafik, ku po punohet nëpër udhë, si qëndron puna me pritjet nëpër dogana, ku ka ngecje në trafik apo edhe çfarë moti presim, për tu ëmbëlsuar me njoftimet për ngjarjet kulturore.
Fundja, në Vlorë kisha shkuar për qejf por, ato krisma më bënë që të ikja pa i bërë dy ditë pushim. Dhe, për ta vazhduar pushimin e lënë në gjysmë, gjej qetësi në plazhet e Malit të Zi. Megjithatë, edhe nga andej dëgjoja lajme se si po vriten femrat në Shqipëri e Kosovë nga bashkëshortët e tyre, e që më turpëronin para malazezëve.
Që revolta të shtohet edhe më shumë, si për inat, dëgjojmë pseudoanalistë, fytyra këto që televizionet tona i kanë bërë të përhershme, e të cilat debatojnë për çfarëdo teme, nisur nga ekonomia, moda, politika e deri tek dashuria! Këta të gjithëdijshëm, kur është fjala për turizmin, ua shohin për të madhe shqiptarëve nga jashtë Shqipëria, të cilët janë më të fortë ekonomikisht dhe pushimet verore i kalojnë diku tjetër dhe jo në Shqipëri. Por, asnjëherë nuk analizojnë se, përse po e anashkalojnë bregdetin tonë shqiptarët e pasur. Harrojnë se një pushues kërkon vend të sigurt, të qetë dhe mikpritës… Qytetarë që respektojnë çdo “jabanxhi” kur iu vjen në qytetin e tyre. Harrojnë se ambienti për të pushuar në Shqipëri, përkundrazi, të lodhë.

Niveli i sigurisë… Zero!

Si pasojë e pasigurisë për jetën e çdo qytetari, shteti duhet të ndërmarrë masa urgjente, duke u nisur nga riformatimi i policisë, që nga polici më i thjeshtë e deri tek koka komanduese, rritjen e vëmendjes së agjencive shtetërore, ashpërsimin e dispozitave të Kodit Penal, madje edhe mundësinë për rikthimin e dënimit me vdekje, për kategoritë më të tmerrshme, siç ishte rasti i fshatit Libofshë, pastaj maniakut pedofil, Ardian Përrenjasi, i cili e kishte rrëmbyer një fëmijë dhjetëvjeçar, për të abuzuar me të, ndërkohë që ka pranuar se një tjetër fëmijë e kishte vrarë, apo edhe për rastet e fundit.
Pyetja, nëse duhet ta rikthej shteti dënimin me vdekje, apo fakti i pamundësisë për një hap të tillë, për shkak se synojmë aderimin në Bashkimin Evropian, si dhe proceseve tjera integruese, kërkon një debat të gjerë kombëtar.
Shikuar më ndryshe, qeveria e Shqipërisë nuk duhet të përballet me presionin për rikthimin e dënimit më vdekje, por do të duhej të akuzohej, për faktin se nuk veproi mençur, kur e hoqi këtë masë të rëndë ndëshkimore, derisa e kishte në Kodin Penal. Heqja e kësaj mase, nuk është dashur të bëhej brenda natës, por do të duhej të bëhej gjatë një periudhe më të gjatë, madje të mos hiqej deri në ditët e sotme. Kjo, sepse heqja e kësaj mase, nuk e futi Shqipërinë në BE!
Edhe Shqipëria edhe Kosova, sot po përjetojnë rritje marramendëse të krimeve. Çdo ditë po shohim lajme monstruoze të marrjes se jetëve, raste të panumërta të dhunës dhe masakrimit të femrave në çdo cep të trojeve tona, grabitje me armë, rritja e shkallës së “vetëgjyqësisë”, gjakmarrjes… Në të gjitha rastet, gjyqësori nuk po tregohet efikas, në mos parandalimin e këtyre dukurive, të paktën përmes dënimeve meritore për ata që kryejnë vepra kriminale, të frikësohen të tjerët.

Sigurinë e bëjnë autoritetet serioze!

Po të ishin autoritetet serioze, të pastra dhe pa interesa të ngushta, edhe me forcën e ligjeve ekzistuese do t’iu kundërviheshin me sukses subjekteve të krimit, duke iu treguar se masa e dënimit, nuk iu leverdisë për veprat që bëjnë. Mbrojtja dhe garantimi i jetës, është mision, i cili duhet të prijë në institucionet shtetërore. Në rastin kur kërkohet rikthimi i dënimit me vdekje, mirë do të ishte të merrej shembulli nga SHBA-të, ku aktualisht aplikohet dënimi me vdekje, në rastet e krimeve monstruoze. Ndonëse Evropa e kundërshton këtë masë ndëshkimore, sikurse që e kundërshtojnë edhe doktrinat fetare, për rastet që tronditin gjithë shoqërinë, aplikimi i një mase të tillë dënimi, me siguri se do ta ulte shkallën e kriminalitetit, si dhe do ta ndërgjegjësonte çdo individ për pasojat që e presin, në rast të kryerjes së një krimi. Aplikimi i këtij dënimi, do t’i çlironte edhe të ngujuarit nga frika e gjakmarrjes. Ata ende jetojnë të ngujuar sepse janë të vetëdijshëm se jeta e tyre nuk mbrohet nga shteti.
Kujtojmë se, në kohën e monizmit, gjakmarrja ishte zhdukur, pikërisht nga frika e dënimit me vdekje që aplikohej nga ai regjim. I njëjti dënim vazhdoi të aplikohej edhe në vitet e para të demokracisë dhe, realisht pati dhënë rezultate në parandalimin e krimeve makabre.
Pa e aplikuar dënimin me vdekje, me pretekst se me këtë nuk do të pajtohej bota demokratike, le shumë për të dyshuar. Kjo, sepse qeveritë aktuale, duke i aplikuar standardet evropiane, por pa e pasur fuqinë e këtyre shteteve, rezulton vetëm me një propagandë dhe assesi në parandalimin e krimit.
Mbajtja në fuqi e dënimit me vdekje, edhe gjatë kohës së tranzicionit, Shqipërinë do ta bënin fitimtare, pasi qytetarët e saj do të fitonin sigurinë. Shqipëria do ta fitonte edhe besimin dhe dashurinë e shqiptarëve që jetojnë jashtë saj, për të fituar më pas edhe sigurinë dhe besimin e investitorëve të huaj, të cilëve aktualisht nuk ua mban të investojnë në Shqipëri, pasi investimi i tyre do t’i ngjasonte një investimi në bastore. Ngjashëm do të thosha edhe për Kosovën.
Shoqëria kërkon liri dhe dinjitet, pastaj kërkon mirëqenie dhe ekonomi më të mirë. Cilado qeveri që nuk ia siguron këtë, kot e ka që bën propagandë boshe, kur të gjithëve ua kanë pirë lëngun qytetarët dhe e njohin secilin politikan. Aq më tepër, kur të gjithë politikanët janë të konsumuar.