Bie në grackën e policëve civilë – Arrestohet një hajn!

policia arrestim personiPrizren, 18 dhjetor 2014 – Dy hajna të cilët kishin vjedhur materiale higjienike në Zonën Industriale të Prizrenit, kanë rënë në grackën e dy policëve, të cilët ishin të veshur në rroba civile. Mallin që e kishin vjedhur më 13 dhjetor, hajnat e kishin nxjerrë në shitje të mërkurën, kur në Prizren është ditë tregu.
Policia rajonale e Prizrenit ka njoftuar sot se të dy hajnat janë shoqëruar në stacion të policisë, ku është kuptuar se malli që kishin vjedhur kapte shumën rreth 240 euro. “Materiali i është dorëzuar pronarit, nga i cili ishte vjedhur, ndërkaq personat në fjalë, në konsultim me prokurorin e shtetit, janë trajtuar sipas ligjit. Njëri prej tyre është mbajtur në arrest ndërsa i dyti është liruar, pasi është i moshës së mitur”, njoftoi zëdhënësi i policisë në Prizren, Hazir Berisha.