Arrestohen Shefqet Krasniqi, Fuad Ramiqi dhe imamë të tjerë (Video)


arrestohet shefqet krasniqiPrishtinë, 17 shtator 2014 – Policia e Kosovës ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një aksion të gjerë, ku ka arrestuar pesëmbëdhjetë persona, të dyshuar për terrorizëm. Mediat raportojnë se, në mesin e të arrestuarve, pesë janë imamë dhe një politikan. Burimet nga terreni kanë konfirmuar shoqërimin në polici të Fuad Ramiqit, si dhe imamit Shefqet Krasniqi.
Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit, sikurse edhe drejtuesi i partisë LISBA, Fuad Ramiqi. Motivet e këtyre arrestimeve, sipas policisë, janë dyshimet për nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe ekstremizmit Islam.
Policia e Kosovës ka bastisur banesën e kryetarit të LISB-as, Fuad Ramiqit, e cila ndodhet afër parkut të qytetit në Prishtinë. Ramiqi, partia e të cilit ka bazë fetare, dyshohet se ka manipuluar dhe ka nxituar shkuarjen e të rinjve kosovarë në luftërat që po zhvillohen në Siri dhe Irak.
Portali Lajme.net ka raportuar edhe për arrestimin e imamit nga Mitrovica, Ekrem Avdiu, i cili shërben në xhaminë e lagjes Tavnik, si dhë është anëtar i BIK-ut në Mitrovicë. Sipas këtij portali, në Mitrovicë është arrstuar edhe imami, Enis Rama, i cili shërben në xhaminë “Isa Beg” në Mitrovicë dhe është kryeredaktor i televizionit “Peace TV” në shqip. Gjithashtu, në aksionin e sotëm është arrestuar edhe imami nga Peja, Enes Goga, me motivin se i njëjti dyshohet për nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe për ekstremizëm islam.

Shiko pamjet video, KËTU!