Ankohen firmat – Punën po na e marrin në të zezë!

Ankohen firmat – Punën po na e marrin në të zezë!

Dragash, 04 korrik 2019 – Përfaqësuesit e bizneseve në Dragash po ankohen se nuk po i mbron askush nga konkurrenca ilegale, të cilët, siç thonë, po punojnë në të zezë.
“Kur i shtohet kësaj edhe fakti se shumë punëtorë po na braktisin, duke gjetur punë jashtë shtetit, ne nuk po na mbetet tjetër pos t’i ç’lajmërojmë firmat dhe t’i grahim në të zezë edhe ne”, tha për redaksinë tonë njëri nga përfaqësuesit e një ndërmarrje zejtare, duke shtuar se, edhe ashtu ka mjaftë konkurrencë legale, e kur i shtohet kësaj edhe konkurrenca ilegale, më mirë po u bie të kalojnë edhe këta në ilegalitet. Një tjetër pronar i një ndërmarrje të vogël, tha për redaksinë tonë se, punët po ua marrin më shumë në trevën e Gorës ku, sipas tij, po vijnë mjeshtër nga Shqipëria dhe po ua marrin punët me një çmim dukshëm më të lirë. “Përse të mos punojnë më lirë se ne, kur ata nuk paguajnë asgjë për shtetin. Gjithçka që fitojnë i kanë para për vete. Por, ata nuk kanë faj assesi. Fajet i kanë inspektorët tanë, të cilët aspak nuk i kontrollojnë vendpunishtet, për të parë se kush punon aty dhe, nëse ka punëtorë ilegalë që nuk janë të lajmëruar nga firmat e tyre”, thotë ky ndërmarrës.
Redaksia jonë ka kontaktuar Drejtorinë komunale të Inspektoratit në Dragash, nga të cilët ka mësuar se një pjesë të fajit e kanë edhe vetë ndërmarrjet. “Ne jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e kësaj dukurie por, shumë pak kemi përkrahje dhe bashkëpunim nga ndërmarrjet ekzistuese. Ata duhet të reagojnë hapur për këtë çështje, madje duhet t’i raportojnë rastet konkrete në zyrat tona, në mënyrë që ne të reagojmë suksesshëm dhe t’i kapim personat apo edhe ndërmarrjet e tilla”, tha njëri nga inspektorët e Dragashit, duke i ftuar përfaqësuesit e bizneseve legale që të bashkëpunojnë më shumë me ta, duke iu ofruar informata se ku po punohet dhe kush po punon.