Inspektorët dhe Policia largojnë shitësit nga sheshi

inspektoret policia shitesitPrishtinë, 16 qershor 2015 – Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës, të hënën ndërmori një aksion për largimin e shitësve ilegalë nga hapësirat publike në kryeqytet. Kjo, pasi në adresë të këtij institucioni kanë mbërritur shumë vërejtje për mosveprim, pas shumë ankesave që janë adresuar prej qytetarëve, të cilët e duan sheshin për shëtitje dhe jo si hapësirë tregtare.
Në fokusin e Radio Sharrit ka rënë në sy edhe prezenca e policisë, e cila i ka mbështetur inspektorët komunalë në këtë aksion, pasi jo të gjithë stërshitësit u janë bindur urdhrave të tyre. Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ky aksion është ndërmarrë, pasi Drejtoria që ai udhëheq, në vazhdimësi iu ka tërhequr vërejtjen stërshitësve ambulantë, duke kërkuar nga ta që t’i lirojnë hapësirat publike. “Pasi këta nuk i kanë përfillur kërkesat e inspektoratit të Komunës së Prishtinës, ne ndërmorëm këtë aksion për lirimin e hapësirave publike”, ka deklaruar Sveçla, duke paralajmëruar se, pas këtij aksioni, inspektorët nuk do të lejojnë asnjë shitës në sheshin kryesor të kryeqytetit.