Aksident i rëndë në Trokan të Dragashit (Foto)

aksident trokan kosaveDragash, 16 gusht 2014 – Tre persona janë lënduar rëndë dhe katër të tjerë më lehtë, në një aksident trafiku, i cili ka ndodhur sot, rreth orës 15:00, në afërsi të fshatit Brezne të Dragashit, tek vendi i quajtur “Trokan”.
Sipas burimeve që ekipi ynë i ka siguruar në vendin e ngjarjes, mësohet se janë aksidentuar dy automjete te tipit të njëjtë “Golf”, njëri prej tyre drejtohej nga një banor i fshatit Kosavë.
Sipas të dhënave nga dokumentet e automjetit tjetër, në të cilin tre persona janë lënduar rëndë, ai i përkiste një personi nga fshati Vërmicë e Prizrenit, por që nuk dihet saktësisht, nëse edhe udhëtarët në të janë nga ky fshat. Ekipi e Ndihmës së Shpejtë nga Dragashi i ka shpënë të lënduarit rëndë drejt spitalit të Prizrenit, ndërsa katër të lënduarit më lehtë janë shpënë me automjete private, po në këtë spital, ku ende nuk ka informacione për gjendjen e të lënduarve.
Policia e Dragashit ndodhet në vendin e ngjarjes, ku, bashkë me ekipin përkatës nga Policia rajonale e Prizrenit, po e hetojnë rastin. Ndërkohë, një ekip i Zjarrfikësve të Dragashit ka dalë në vendin e ngjarjes, ku do të bëj pastrimin e mbetjeve nga ky aksident.