Tetë vjet nga vdekja e kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova

ibrahim rugova pervjetoriPrishtinë, 21 janar 2014 – Në ditën e sotme, para 8 vjetësh, ndërroi jetë kryetari historik i Kosovës, i cili konsiderohet si nismëtari i ndërkombëtarizimit të çështjes së këtij vendi të vogël, i cili u okupua rëndë nga regjimi serb, pikërisht kur arriti kulmin e autonomisë në ish-federatën jugosllave, e dominuar nga popujt sllavë. Rugova konsiderohet si njëri nga personalitetet më eminent të historisë së shqiptarëve, në fundshekullin e 20 dhe fillimin e shekullit 21. Por, ka dhe të atillë, madje ndër shqiptarët, që e mendojnë të kundërtën e kësaj. Opinioni negativ ndër këta shqiptarë shkon aq lart, sa që Rugovën e trajtojnë edhe si tradhtar. Përmes politikës, duke qenë në robëri, Rugova nuk rreshti duke kërkuar lirinë, sipas konceptit që ajo të arrihej me mjete paqësore e që, nga shumëkush, ky proces filloi të quhej si rugovizëm.
Gjithsesi, nga ndërkombëtarët ai cilësohej si prezantuesi më autoritar i çështjes së Kosovës nëpër diplomacitë euroatlantike. I lindur më 2 dhjetor 1944, Ibrahim Rugova cilësohet si arkitekt i pavarësisë, veçmas nga partia që ai drejtoi që nga themelimi, Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe nga partia që u nda nga LDK, Lidhja Demokratike e Dardanisë.
Në përvjetorin e tetë, homazhe mbi varrin e Rugovës bëjnë, Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, i cili në çdo përvjetor viziton edhe familjen e Rugovës. Më pas, kjo parti organizon akademi përkujtimore, për nder të veprës së Ibrahim Rugovës. Homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova, bën sot edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, si dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Leave a Reply