Protesta e 9 Janarit – Sinjal për të reflektuar!

dhuna hazir rekaPrishtinë, 10 janar 2016 – Dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës morën dje pjesë në protestën që u organizua në Prishtinë nga partitë opozitare, e cila në përmbyllje të saj eskaloi në dhunë. Protesta e thirrur si paqësore, teksa po shkonte drejt përmbylljes, një grup të rinjsh nisën të hidhnin kokteje molotovi drejt ndërtesës së qeverisë.
Ndonëse organizatorët u munduan t’i qetësonin, përfshi këtu edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, orvatjet për përmbajtje dështuan dhe shumë shpejt aktiviteti eskaloi në dhunë. Për pasojë, mbetën të lënduar policë, protestues dhe gazetarë. Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka bërë me dije se ka arritur të arrestojë tridhjetë e katër protestues të dhunshëm, tek të cilët janë gjetur mjete të dyshuara, si thika, koktej molotovi e gjëra që ju kanë shërbyer për kamuflim. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe vënies së situatës nën kontrolle”, thuhet mes tjerash në njoftimin e policisë.
Nga ana tjetër, Sami Kurteshi, nga Vetëvendosja, ka deklaruar se personat që shfaqën dhunë, nuk ishin të tyre. “Ata që gjuajtën ndërtesën e qeverisë dhe më pas edhe policinë, nuk ishin tanët por një grup i të rinjve të papërgjegjshëm që po dëshirojnë me prish”, është shprehur Kurteshi, duke shtuar se më kot ishin përpjekur t’i ndalonin.
Sido që të jetë, protesta e djeshme mblodhi më shumë se kurrë më parë qytetarë, gjë që nga analistët u konsiderua se kjo duhet të reflektojë edhe tek pozita por edhe tek opozita, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për dy palët, në mënyrë që vendi të ec përpara.

Leave a Reply