Në Dragash procesi zgjedhorë, shembull – Vetëvendosje del e para!

Në Dragash procesi zgjedhorë, shembull – Vetëvendosje del e para!

Dragash, 29 dhjetor 2025 – Pasi në orën 19:00 u mbyllën të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës, duke përmbyllur kështu procesin zgjedhor, në Komunën e Dragashit u konstatua se këto zgjedhje u zhvilluan në mënyrë të rregullt, pa incidente, duke reflektuar kështu një proces të pastër dhe demokratik, ashtu siç i takon një populli të qytetëruar, i cili edhe kësaj radhe dëshmoi pjekuri demokratike dhe angazhim qytetar për të ardhmen vendit.
Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në fshatrat e trevës së Opojës dhe në qytezën e Dragashit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese në të gjitha vendvotimet, duke u renditur si partia e parë në këtë komunë. Konkretisht, Vetëvendosje ka fituar 18 vendvotime në këto zona.
Ndërkaq, në fshatrat e trevës së Gores, partia me më shumë vendvotime të fituara është Partia Unike Gorane (JGP), e cila drejtohet nga Adem Hoxha. Ky subjekt doli fitues në tetë vendvotime, e ndjekur nga SDU-ja e Duda Bales, me 5 vendvotime. Koalicioni Vakati ka fituar në dy qendra të votimit.
Ky rezultat reflektoi trendin e rritjes së Vetëvendosjes në nivel të përgjithshëm në Kosovë, duke dëshmuar një ritëm të njëjtë të mbështetjes qytetare për Vetëvendosjen, në mbarë vendin.
Zbërthyer në numra dhe përqindje, në Komunën e Dragashit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 37.94% të votave, ose 4 mijë e 682 vota. Në vendin e dytë është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 19.79% ose 2 mijë e 442 vota, ndonëse vetëm një muaj më parë kjo parti fitoi bindshëm zgjedhjet lokale. Ndërkaq, në vendin e tretë radhitet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 17.98% ose 2 mijë e 218 vota.
Një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, sot ka nisur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe konfirmimi i votave për subjektet politike. Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur në konferencën e mbajtur mbrëmë se procesi i numërimit do të fillojë sot, për shkak se i gjithë materiali zgjedhor do të pranohet gjatë natës në qendrat e numërimit.
Kujtojmë se, deri më tani janë numëruar 99,26% e votave dhe, sipas të dhënave të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë mbetur vetëm 19 kuti pa u numëruar. Në këtë fazë, Lëvizja Vetëvendosje prin me 49,30% të votave, duke siguruar 429 mijë e 979 vota. Pas saj vjen Partia Demokratike e Kosovës me 21,01%, ndërsa e treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 13,59%.