Uji ROSA, produkt i Serbisë – Bojkotoje!


uji rosa bojkotPrishtinë, 09 shtator 2014 – Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! realizuan sot një aksion simbolik, në Prishtinë, duke i shkruar bilbordet ku është reklamuar uji “Rosa”, i cili është produkt që vjen nga Serbia. Ata shkruan në këto bilborde “Produkt i Serbisë – bojkotoje”. Sipas aktivistes, Tinka Kurti, ky aksion u ndërmor sepse, përpos që uji i prodhuar në Serbi ka vërshuar tregun e Kosovës, tani ka mbuluar edhe qytetin me reklama. “Ne jemi këtu për të bërë thirrje që të bojkotohet ky produkt, sikurse produktet tjera me barkodin 860. Duhet pasur parasysh se, përdorimi i produkteve nga Serbia, e ndihmon më shumë shtetin dhe ekonominë serbe, duke e dëmtuar kështu ekonominë tonë. Ne duam të kujtojmë se vërshimi i këtyre produkteve është vazhdimësi e dëmtimit të ekonomisë sonë nga ana e Serbisë. Bëhet fjalë për të njëjtën Serbi që ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë, nuk i ka kthyer trupat e të pagjeturve, nuk ka dëmshpërblyer për dëmet që ka bërë, ende i financon strukturat ilegale në veri të vendit, na i vret qytetarët tanë në kufi, si dhe përpiqet çdo ditë të prishë funksionalizimin e shtetit tonë. Prandaj, bojkoti duhet të zgjasë, deri atëherë kur Serbia ta njohë shtetin tonë, t’i pranojë krimet që i ka bërë, t’i paguajë dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara dhe t’i largojë strukturat ilegale e kriminale nga vendi ynë. Sa i përket ujit Rosa, duhet cekur se, në mos gjë tjetër, Kosova prodhonë ujë dhe ka mbi 20 kompani të ujit që duhen mbështetur nga të gjithë ne, e në radhë të parë nga institucionet shtetërore”, ka thënë Kurti.
Ky aksion u organizua, si vazhdimësi e fushatës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për mbështetjen e prodhimeve vendore, me moton “Duaje Tënden” dhe bojkotimin e produkteve që vijnë nga Serbia.