Në Dragash bashkohen për balotazh PDK, VV, VAKAT dhe Nexhmidin Sejdillar!

Në Dragash bashkohen për balotazh PDK, VV, VAKAT dhe Nexhmidin Sejdillar!

Dragash, 30 nëntor 2025 – Për garën e balotazhit në Dragash, ku do të garojnë kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini, dhe ai i PDK-së, Shaban Shabani, sot është zyrtarizuar koalicioni ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Koalicionit boshnjak VAKAT dhe kandidatit të pavarur nga komuniteti goran, Nexhmidin Sejdillar. Krejt kjo, me synim mposhtjen e kandidatit të LDK-së, Bexhet Xheladini, i cili në raundin e parë doli bindshëm më i votuar, duke marrë mbi 45 përqins të votave.
Lajmin për lidhjen e koalicionit e kanë konfirmuar drejtuesit e subjekteve pjesëmarrëse, duke potencur se synim kanë ndryshimin e qeverisjes lokale në Dragash. Kandidati për kryetar nga VV-ja, Filiz Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se, pas analizës së rezultateve zgjedhore dhe konsultimeve me strukturat e partisë, është marrë vendim për ta mbështetur në balotazh kandidatin e PDK-së, Shaban Shabanin. “Pas analizës së rezultatit zgjedhor dhe diskutimeve në grupin punues, si dhe pas aprovimit nga kryesia qendrore e Lëvizjes Vetëvendosje, kemi vendosur që në balotazhin e 9 nëntorit ta mbështesim kandidatin e PDK-së, Shaban Shabanin”, ka shkruar Mustafa, duke specifikuar se vendimi është marrë mbi bazën e bindjes se “pushteti aktual duhet të shkojë” dhe se VV mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të saj. “Ky bashkëpunim synon t’i japë fund një qeverisjeje që nuk i ka sjellë dobi qytetarëve por i ka varfëruar edhe më tej”, ka shkruar mes tjerash Mustafa.
Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së, Shaban Shabani, ka thënë se ky koalicion është arritur pas një procesi të hapur konsultimesh dhe bashkëbisedimesh me strukturat e partisë. “Para se të lidhim këtë koalicion, kemi punuar në harmonizimin e programeve dhe parimeve qeverisëse, të cilat do të shërbejnë si bazë për një qeverisje të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë Shabani, duke shtuar se kjo marrëveshje është dëshmi e bashkëpunimit për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe në interes të përbashkët të secilit qytetar, pa dallim.
Dy kandidatët tjerë nga treva e Gorës, Usmen Ballxhi nga koalicioni boshnjak – Vakat dhe Nexhmidin Sejdillar, përfaqësues i komunitetit goran, i cili garoi si kandidat i pavarur, nuk janë deklaruar publikisht. Por, bazuar në deklaratat e tyre, teksa garonin për kryetar komune në raundin e parë, pothuajse kanë qëndrime të njëjta sikurse kandidatët e subjekteve shqiptare, me të cilët janë bërë bashkë për raundin e dytë. Madje, Sejdillar ka postuar në Facebook përmbajtjene njëjtë, të cilën e ka publikuar edhe kandidati i PDK-së, Shaban Shabani.