Nga: Gerina MULLAJ
• S’ka kaluar shumë kohë qyshkur më pyeti moderatorja e një emisioni nëse shkrimet i bëj për të tërhequr vëmendje.
Përgjigja ime ishte e nxituar dhe idiote: Po e bëj për vëmendje! S’do mend që përgjigja nuk përfaqësoi vërtetësinë time ashtu sikurse përfaqësoi besimin tim të hershëm se vetëm pyetjet e mira meritojnë përgjigje të mira.
Nuk e kam zakon të kuptoj me vonesë çastin kur tjetri ka të drejtë, por ndodhi që këtë herë kumboi si kambanë e vonuar në veshët e mi, tingulli i këndshëm që ka e drejta në përgjithësi, e i bezdisshëm njëherësh, kur kjo e drejtë i përket tjetrit, tingulli i fjalëve të kësaj vajze që jehuan më pas, habia që shprehu ajo përzier me vetëbesimin që të jep ndjesia kur e drejta është e jotja. Në atë pyetje përmblidhej gjithë e vërteta e kohës sonë, dhe s’kisha për ta kuptuar këtë sikur të mos më ish mbushur mendja që moderatorja bukuroshe shprehu përmes pyetjes çudinë që ngërthen pa arsye drejtuesit e emisioneve kur duan të bëjnë pyetje interesante por e vetmja gjë interesante që ju del nga përpjekja është buzëqeshja në fund të fjalisë.
Megjithatë, e drejta e saj s’ka sesi të mos quhet e shëndetshme kur ajo thjesht kërkoi të vendos në dukje mënyrën e rëndomtë me të cilën unë kam zgjedhur të kem vëmendjen e lexuesve të mi: shkrimit. Dhe kjo e drejtë feksi në gjithë qenien e saj, ashtu dritandezur siç qe kur deklaroi heshtur fenomenin më gjenial të epokës sonë: çmendurinë e mënyrës për të tërhequr vëmendje përmes mendimit kur ka një mënyrë tjetër shumë më të lehtë, shumë më të natyrshme, shumë më të suksesshme: zhveshja.
Zoti e krijoi seksin femër pasi u shkollua, shkruan Robert Bërns në poezitë e tij, plot hire dhe forma, për të ndjell shqisat e atyre krijesave(meshkujve) të cilat Zoti, sipas Bërnsit, i krijoi kur ende s’kishte shkollë. Femrat e kohëve moderne sipas kësaj logjike nuk duhet të shërbejnë edhe aq shumë si promotorë të mendimit aq sa duhet të jenë , dhe ato bëjnë çmos që të jenë, promotorë të trupit, jo vetëm për të fshehur mendësinë e tyre por më tepër për të theksuar pamendësinë e gjinisë tjetër. Përmes këtij gjenialiteti sot një pjesë e mirë e vajzave të reja kanë vërtetuar mrekullinë më të madhe që mund të shoh me sy raca njerëzore: arritjen e majës pa u ngjitur, pa djersë, pa lodhje, vetëm përmes zhveshjes. Në frytet e kësaj mrekullie shpaloset tinëzisht modeli i lehtë, krijimi i idesë se arritja nuk lidhet me veprimin por me qëndrimin në vend.
Është e pamundur të përcaktosh të mirat që pjell kjo nënë e re: mjafton të zhvishesh dhe je pjesë e emisioneve më të ndjekura, mund të zhvishesh dhe të drejtosh vetë një emision, zhvishesh dhe je pjesë e gazetave, revistave, festave gala, videoklipeve, skenave llamburitëse, je pjesë e vëmendjes së medias, je pjesë e imagjinatës së burrave dhe përveç kësaj je pjesë e ëndrrës së grave për të pasur trupin ideal, madje je pjesë e vizionit të së ardhmes që krijojnë vajzat e vogla kur shohin vajzat e rritura në ekran. Këto fllade frymëzuese që përçartin iluzionet e fëmijëve, shkëlqejnë me lëkurën e tyre dhe përcjellin aromën e këndshme të gjërave të lehta. Por e mira më e madhe është ajo që nuk është përmendur as është menduar ndonjëherë, e që vetiu më mbush me frymë, duke më bërë të besoj se këto vajza i shkulën përnjëherë rrënjët e një të keqeje të madhe që ka zënë fill mes adoleshentëve e jo vetëm: pornografinë.
Jam aq e fandaksur nga kjo siguri sa jam gati të betohem për majën e Olimpit, se duke dalë në skenën e medias këto vajza, çdo orar, çdo kohë, çdo ditë kanë shmangur si padashje varësinë ndaj pornografisë duke qetësuar përmes hireve të tyre shqisat e nepset e meshkujve. Moderatorja pati një të drejtë të madhe në pyetjen që rrodhi mes për mes buzëve të saj të këndshme tek përplaste qerpikët e zhdërvjellët e duke i siguruar vetes atë zë që kanë njerëzit kur e kuptojnë që e drejta është me ta, ajo ndoshta donte të stimulonte qoftë edhe pa vetëdijen e saj një të mirë të parrëfyeshme: përse duhet shtrydhur mendja si limon për të qenë pjesë e medias më anë të shkrimeve, kur rruga e lehtë shfaqet përpara çdo vajze, premtuese e vezullimtare, duke qenë se shumica ka më të theksuar shqisën sesa durimin për të lexuar, sikundër një aktor komedian ka thënë: Zotin kam në mendje, djallin në pantallona!