E dua vendin tim nënë, por më duhet të largohem!

E dua vendin tim nënë, por më duhet të largohem!

Shkruan: Blendiana SELA


Nënë… Si sot më kujtohet koha kur ti, bashkë me babin, më jepnit udhëzime për në klasë të parë, madje nuk ishin vetëm udhëzime por ato shkonin përtej kësaj, edhe pse shkoja kot në shkollë pasi tre vitet e para vetëm lënda e edukatës fizike më dukej tërheqëse, pasi kishte kohë që shkrim-lexim dija, madje shkruaja shpejt dhe lexoja rrjedhshëm, si dhe llogarisja bukur. Tabelën e shumëzimit e dija, po sikur vjershat e Naimit.
Nënë… Dhe ti baba, më përgatitët për këtë vend e për këtë tokë që të jem potencial për ndryshim. Madje, shpesh ju bëra krenarë edhe juve nënë, kur i fitoja garat me nxënës. Përveç ti e babi që gëzoheshit, lumturi mbusheshin edhe mësuesit. Ama, në atë kohë, nënë, se kam ditur që garat e sukseset s’vlerësohen në vendin tonë. Më fal nënë se shumë herë streset e mia për mësime t’i bëja pjesë të pandashme të obligimeve që edhe ashtu i kishe të shumta. Shumë herë qëndrove pa bukë, sepse unë nuk haja, duke menduar se si do të jetë provimi im i ardhshëm! Më fal nënë që shumë shpesh nuk mora pjesë në shumë organizime familjare sepse isha duke mësuar, madje edhe atëherë kur të gjithë ishit bashkë, unë mungoja, duke menduar se, përmes mësimit, do të arrij diçka në këtë vend. Dhe, çfarë arrita? Faktin që të nisem me aeroplanin e parë për diku? Larg prej këtu sepse krejt arritjet e mia, nënë, ma nxorën biletën për me u larguar prej këtu, me zemër të thyer! Por, me rëndësi është që unë e kam kuptuar se, për një diplomë nuk vlen mësimi, notat, netët pa gjumë… Jo nënë, o zemra ime! Këtu po vleka mbiemri, emri i babës e, aty këtu, paraardhësit dhe ndikimi tek pushteti.
Nënë… Ti e di që unë gjithnjë jam bija jote që nuk jam thirr në emër të askujt. Emrin që ma keni vendosur,  ti e babi, kam dashur ta mbaj me krenari. Unë jam bija jote nënë. Arritjeve të mia dua t’iu gëzohesh Ti, me nder dhe jo me u turpëruar për fëmijën që e ke rritur. Megjithatë, unë kudo që të jem, s’kam me ndryshuar, sepse e di se sa keq është me t’u ndryshuar pozita dhe arritjet. E di se sa keq është me pas veten në qejf, sepse me njerëz të tillë u përballa. E rëndësishme tek e gjithë kjo situatë është fakti që unë nuk jam dorëzuar dhe nuk do të dorëzohem kurrë, o nëna ime. Unë nuk jam mërzitur prej librave dhe ti e di se sa shumë më pëlqen të lexoj. Jam lodhur, thjesht prej trajtimeve jo te duhura nënë e po largohem me gjysmë zemre sepse tjetrën po e lë këtu. Po shkoj që një ditë të kthehem prap, e gatshme për të kontribuar për këtë vend të cilin me shpirt e dua dhe ti e di këtë.
Nënë… vendin tim mos ma zëvendëso, të paktën ti kujdesu që mos të jetë dikush tjetër në vendin tim. Një karrige lere të zbrazur edhe pjatën e gotën nënë. Kujdesu për to. Derën mos e mbyll. Të paktën në shtëpinë time dua ta kem derën të hapur, e në tubimet familjare, në mos asgjë tjetër, vendose një fotografi timen. Merre me vete dhe kuptoje se dituria, dashuria dhe dështimet janë të gjitha me “D” e që vendin tonë, nënë, kjo e fundit e ka bërë të njohur!

(Blendiana Sela, jeton në fshatin Zym të Opojës (Komuna e Dragashit). Aktualisht studion në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren (TIT), si dhe në Kolegjin UBT (Infermieri). Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)