Dragashi – Kjo komunë e nëmur!

fari kolloni opinionNga: Fari KOLLONI


• Për secilën gjë që të bie në mendje të shkruash për Dragashin, secilën përvojë dhe secilin përjetim që ke pasur në këtë qytezë të shkretë, pa pikë ngurrimi mund ta përmbledhësh me dy fjalë të vetme; varfëri dhe mjerim.
Mjerim ekonomik, mjerim politik, mjerim kulturor, mjerim shpirtëror… Mjerim gjithçka. Në fakt, Kosova në përgjithësi të falë një ndjenjë të tillë por Dragashi është mjerimi në llojin e vet, mjerim i skajshëm. Dragashi dhe mjerimi janë një dhe të pandashëm. Të gjithë e dimë dhe asnjëri nuk e themi. Të gjithë e përjetojmë dhe të gjithë bëjmë, sikur nuk po ndodh asgjë.
Ne nuk kemi shkollë, nuk kemi arsim. Ne krenohemi vazhdimisht se si shkolla e Dragashit dikur ka qenë ndër shkollat më të mira në Kosovë. Por, ne nuk i shohim askund frytet e kësaj shkolle. Ne kemi studentë që kryejnë fakultet, sa për ta zënë një vend të punës. Dhe, kemi studentë që shkojnë në fakultet, veç për inat të kojshive. Ose, për me gjet ndonjë nuse. Mësuesit dhe profesorët se kanë gajle se çka po ndodh me konkurset, me administratën, me shëndetësinë e me çështje të tjera të jetës publike. Mjafton që rrogat e tyre, në fund të muajit të jenë nëpër bankomate.
Nuk është problem edhe nëse dikush mund të marrë pagë të mësimdhënësit, pa qenë hiç mësimdhënës. Profesorët sillen restoranteve për të festuar Ditën e tyre, ndërkohë që shkollat tona janë kthyer në industri analfabetësh – ose më mirë, ashtu kanë qenë gjithmonë. Drejtoria e Arsimit është e zënë me punën e ‘rehatimit’ të militantëve, të besnikëve të Partisë, të nipave, tezeve, hallave e dajallarëve.
Ne nuk kemi politikë. Korrupsioni, papërgjegjësia dhe dallaveret i kanë zënë të gjitha skutat e jetës politike në Komunën tonë. Me Komunën tonë qeveris një grup individësh të padijshëm, lakmitarë për pushtet dhe pasuri personale. Gjithë çfarë kanë bërë këta individë për komunën, është stërmbushja e rrugëve të fshatrave me kubëza pa karar, ndërtimi për keqardhje i infrastrukturës rrugore dhe ndërtimi pa kurrfarë plani i rrjeteve të kanalizimit, që iu ka dalë era ende pa iu përfunduar mandati pushtetarëve keqmenaxhues. Të tjerat janë dallavere që iu përkasin klaneve parapolitike dhe të pavetëdijshme për rëndësinë e jetës publike, të përbashkëtën e qytetarëve. Si për shembull, përjashtimi nga puna i njerëzve me përvojë dhe kualifikim profesional, për shkak të bindjeve të tyre politike dhe partiake. Gjë që ndodh vetëm në vende me mendësi politike të titizmit, enverizmit e totalitarizmave të tjerë politikë.
Nëse ne mendojmë ndonjëherë të krijojmë, të paktën kushtet minimale për jetesë në këtë qytezë të nëmur, gjëja e parë që duhet të bëjmë është të fillojmë të flasim, të shkruajmë, të bashkëbisedojmë, të komunikojmë dhe të kritikojmë pa frikë. Duke qëndruar në heshtje dhe duke ia fshehur të zezat njëri-tjetrit, ne vetëm sa do t’ia zgjasim jetën këtij mjerimi. E kur flasim, ne nuk jemi më spektatorë por pjesëmarrës në jetën politike. Kështu mund të ndikojmë në orientimin e politikave që do ta përcaktojnë jetën tonë të mëtutjeshme. Nëse heshtim, jeta dhe fati jonë do të varen nga individë të papërgjegjshëm, që do ta shfrytëzojmë heshtjen tonë, për t’i përmbushur qëllimet e tyre të ndyta. Ata do ta kenë në dorë të ardhmen tonë. Dhe, ne nuk do të kemi më as takat e as të drejtë morale për t’iu kundërvënë atyre.

(Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull, nuk i paraqesin domosdo edhe qëndrimet e redaksisë sonë. E gjithë përgjegjësia e shprehjeve, bie mbi autorin e këtij opinioni)

Leave a Reply